TIRANË - Evolucioni i degëve të reja ka prekur edhe Shqipërinë dhe si e tillë shumë të rinj janë orientuar fal njohurive që kanë përftuar përmes dijeve dhe synimeve që i kanë vënë vetes për të eksploruar profesione ‘trend’ në Shqipëri. Kështu ka ndodhur edhe me 22 vjeçaren, Klaudia Papa e cila është në vitin e 3-të për Fizioterapi në një nga univerisitetet private.

“Para se të filloja vitin akademik kisha dëgjuar për fizioterapinë. Ishte një degë që më tërhoqi në fillim, e cila kishte të bënte me kujdesin shëndetësor të individëve, me parandalimin, përmirësimin dhe trajtimin për personat që kanë nevojë për të. Zgjodha të vazhdoja studimet për fizioterapi, pasi ishte dhe një degë e re. Duke hulumtuar në internet gjeta një nga shkollat më të mira që do të më ofronte mundësinë e vazhdimit të studimeve”, tregon Klaudia e cila prej disa muajsh ka nisur praktikën profesionale në një nga klinikat private në Tiranë.