Papët shqiptarë në Vatikan dhe historia e Kishës Katolike në Shqipëri

Historia e Kishës Katolike lidhet me  historinë e vet Jezu Krishtit dhe pretendon të jetë themeluar nga ai vete. Kisha Katolike, qe njihet si  Kisha Katolike Romake, është kisha e krishtere që drejtohet dhe udhëhiqet nga Papa i Romës.  Asaj i përkasin të gjithë të krishterët e pagëzuar, si dhe ata që janë në bashkim të plotë me kishën katolike dhe kishat e tjera të ndara prej saj.

Emërtimi katolik rrjedh nga greqishtja, që do të thotë gjithësinor, botëror, universal. Midis kishave, e krishtera është më e madhja për nga numri i besimtarëve në nivel botëror, me një përqindje të lartë në Evropë dhe në Amerikën Jugore. Edhe në Shqipëri, kisha katolike ka historinë e saj të themelimit që lidhet me  themelimin dhe shpërndarjen e kishës katolike romake pas perandorit Kostandin, deri në rënien e Kostandinopojës në vitin 1453 nga Mehmeti  i II-të. Ajo mbijetoi edhe në katrahurën osmane dhe arriti deri më sot.
Në Papatin  e Romës ka edhe një histori shqiptare të Papëve. Gazeta zyrtare e Vatikanit në Romë, ka publikuar një artikull të Giovanni Armillota me titull: "Pope Clement XI and the Albani Family", ku mes të tjerash numron edhe Papët me origjinë shqiptare. Ishte Saint Eleutherius(175 -189) Papa i parë me origjinë shqiptare. Sipas artikullit në fjalë, Eleutherius ka shpërndarë masivisht mesazhin e Biblës në shumë vende të Perandorisë Romake.

Papa  i dytë me origjinë shqiptare ishte Saint Caius (283-296), qe njihet si Papa i parë që vendosi rregullat strikte të sjelljes dhe hierarkitë mes peshkopëve të Vatikanit.
Papa  John IV (640-642) gjatë Papatit të tij nuk e harroi kurrë origjinën e tij shqiptare dhe sipas historianëve, ky Papë ka dërguar dhe ndihma konsistente popullit të Dalmacisë që ndodhej nën zgjedhën e serbëve dhe hordhive barbare.

Papa Clement XI (1700-1721) është Papa më i vonë me origjinë shqiptare. Sipas 'Osservatore Romano' familja e Clement XI është pagëzuar me mbiemrin "Albani", pasi rridhte nga një familje e zhvendosur në Urbino të Italisë, por që kishte luftuar në krah të Skënderbeut gjatë çerekshekullit të rezistencës ndaj okupimit turk. Papa Clement XI pasi mësoi për origjinën e tij shqiptare, u interesua shumë për rilindjen politike dhe fetare të atdheut të tij.

Gjatë kësaj periudhe vetë "Këshilli i parë Kombëtar Shqiptar" (1703) u mblodh dhe u brumos pikërisht nga udhëzimet klerikale në lidhje me çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe baritore. Gjithashtu, gjithmonë sipas "Osservatore Romano", Papa Clement XI ka dhënë një kontribut të madh në unifikimin e kishës, duke arritur një rezultat pozitiv, përkohësish, dhe në trojet shqiptare ndërsa njihet dhe për dështimin që pati në orvajtjen për konvertimin në katolicizëm të Carit Rus, Pjetri i Madh.

Në 1872, Papa Piu mbajti një sinod të dytë kombëtar në Shkodër, për rinovimin e jetës popullore dhe kishtare. Kisha katolike shqiptare ka kaluar një kalvar mundimesh në mbijetesën e saj.  Proven e parë te qëndresës së kësaj kishe iu desh ta përballonte  pas rënies së Bizantit dhe invazionit otoman, veçanërisht që nga mesi i shekullit të 17, kur persekutimet nga princat myslimanë vendosën në lëvizje braktisjen e shumë fshatrave shqiptare, veçanërisht midis grekëve.

Periudha komuniste e diktaturës ishte një shkatërrim total për  besimin fetar në Shqipëri dhe për atë katplik në veçanti. Me dhjetra shërbëtore të kishës u persekutuan e u vranë e po kështu dhe shumë besimtarë të saj. Kalvari ishte i gjatë dhe i dhimshëm. U shëmbën rreth 2 mijë objekte kult, 200 priftërinj u vranë apo u persekutuan, shumë pak arritën të mbijetojnë. Çdo gjë u shkatërrua dhe duhej nisur nga e para. Dhe kjo ditë mbërriti e daton më 25 prill 1993, kur Papa Gjon Pali II  vizitoi Shqipërinë, duke u ndalur në Shkodër dhe Tiranë. Gjatë vizitës i dhuroi Kishës së martirizuar hierarkinë e re të pasdiktarurës. Katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert  Ashtën dhe Imzot Zef Simonin. Më 26 nëntor 1994 Ati i Shenjtë shuguroi kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin. Më 7 dhjetor 1996 Shenjtëria e Tij Gjon Pali II, në vijim të riorganizimit të dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri, themeloi Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë) në vend të Abacisë së Oroshit dhe emëroi të parin Ipeshkëv të Rrëshenit dhe administrator apostolik të dioqezës së Lezhës, At Angelo Massafra, asokohe Këshilltar i Provincës Franceskane Shqiptare dhe Famullitar i Troshanit, ndërsa administrator apostolik të Shqipërisë së Jugut, emëroi Atë Hil Kabashin, asokohe kapelan i besimtarëve shqiptarë në Gjermani. Papa Gjon Pali II shuguroi tre ipeshkvij të rinj: Imzot Mark Sopin, ipeshkëv i Kosovës më 6 janar 1996 në bazilikën e Shën Pietrit në Vatikan; Imzot Angelo Massafra, më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pietrit në Vatikan; Imzot Hil Kabashin më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pietrit në Vatikan. Më 28 mars 1998 Imzot Angelo Massafra u emërua kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, duke zënë vendin e Monsigneur Illisë, pas vdekjes dhe më 29 qershor 1998 mori nga duart e Papës Gjon Pali II në Vatikan palion e kryeipeshkvit metropolit. Më 10 korrik 1998 Imzot Zef Gashi u emërua kryeipeshkëv i Tivarit, u shugurua më 19 shtator 1998, në bazilikën e Shën Pietrit në Vatikan. Më 25 janar 2005 Gjon Pali II miratoi riorganizimin e dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri. Ngriti në rangun e Selisë metropolite, Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, duke e ndryshuar kështu emërtimin Kryedioqeza e Durrës-Tiranës e duke i caktuar si sufragane Dioqezën e Rrëshenit dhe Administraturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut.  Më 25 janar 2006 Papa Benedicti XVI, në vijim të riorganizimit të hierarkisë së Kishës katolike në Shqipëri emëroi tre ipeshkvij të rinj: Imzot Dodë Gjergjin, ipeshkëv i Sapës, Imzot Ottavio Vitale, ipeshkëv i Lezhës dhe imzot Cristoforo Palmieri, ipeshkëv i Rrëshenit. Më 12 dhjetor 2006 Ati i Shenjtë Benedicti XVI emëroi Administrator Apostolik të Prizrenit (Kosovë) Imzot Dodë Gjergjin, duke e transferuar nga dioqeza e Sapës (Shqipëri) dhe si Ipeshkëv të Sapës (Shqipëri) emëroi monsigneur Lucian Augustinin, deri sot Vikar i Përgjithshëm i kryedioqezës metropolitane të Shkodër-Pultit.
Papa Françesku është Papa I dytë që viziton Shqipërinë brenda 20 viteve. Kjo është një domethënie e madhe për popullin dhe kombin shqipëtar, për rezistencën e tij në vite për të devijuar apo përdorur keq qëllimin e vërtete të fesë dhe besimit fetar, për harmoninë dhe vëllazërimin midis komuniteteve fetare në mbarë trojet shqiptare. Ky popull me simbol Nënë Terezën, e mirëpret dhe i uron jetë të gjatë Papa Françeskut!  /ATSH/
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit