Raporti analizon periudhën: fillim 2012 deri në verë 2013, pa përfshirë zgjedhjet parlamentare dhe periudhën paszgjedhore, ku për Shqipërinë përfundimet e këtij studimi janë tepër kritike, dhe përmendet në një frymë me vendet më problematike të BE, me Rumaninë dhe Hungarinë.
Studimi i Fondacionit Bertelsman është prezantuar më 23 janar 2014 në Deutsche Welle dhe konkluzionet flasin për një demokraci që ka avancuar në spirale të rënies ekonomike.
Autorët e studimit thonë se "Partia Demokratike, para zgjedhjeve të 2013 i ka përdorur shumicat parlamentare, për të dobësuar mekanizmat e kontrollit dhe për të forcuar pozicionin e vet në shtet dhe në shoqëri."
Në Shqipëri kemi një model të politikës së pushtetit të orientuar te dominimi, konstaton studimi. Dhe kjo veçohet nga autorët si mangësi e rëndësishme, kur dihet që është politika konsensuale dhe përfshirëse, dhe jo dominuese, ajo që të kualifikon për Evropën.
"Si kritikë për Shqipërinë, autorët përmendin më tej që Partia Demokratike i zuri poste të rëndësishme publike, siç janë Presidenti i shtetit, shefi i shërbimit të fshehtë dhe prokurori i përgjithshëm, me pasues të saj. Kjo parti në pushtet, e arriti përmes një numërimi të diskutueshëm të votave, të zgjedhë kryetar bashkie të Tiranës, kandidatin e saj, në maj 2011, veçohet në indeks.Pra studimi tërheq vëmendjen në erozionin e ndarjes së pushteteve në Shqipëri."shkruan DW.
EKONOMIA ESHTE SHUME E DEMTUESHME
"Indeksi i Bertelsmanit tërheq vëmendjen në faktin se ekonomia e Shqipërisë është shumë e dëmtueshme nga goditjet e shokut, që mund t'i vijnë nga jashtë. Kjo sepse varet nga remitancat e refugjatëve, që kanë rënë kudo në Ballkan, si dhe nga kapitali në formën e investimeve direkte të huaja."
Për të dalë nga kjo situatë, - shkruan më tej DW- autorët rekomandojnë që Shqipëria të përmirësojë emrin e eksporteve shqiptare dhe të nxisë investime nga brenda vendit. Si dhe të tërheqë investorë të huaj, që duan të investojnë jo vetëm në mallra të patregtueshme, si bankat dhe komunikimi, por edhe në përmirësimin teknologjik, në pajisje dhe në krijimin e kapitalit fiks, bruto. Më tej ata propozojnë hartimin e politikave të punësimit për emigrantët që kthehen nga Perëndimi si dhe që të zgjidhet problemi i vjetër i pasigurisë pronësore mbi tokën.
KRITIKOHEN RAPORTET E WOLLFARTH TE OSBE-se
Raporti kritikon edhe organizatat ndërkombëtare në Shqipëri. Veçanërisht ashpër kritikohen raportet e pranisë së OSBE-së në Shqipëri, e cila në këtë periudhë kryesohej nga ambasadori Eugen Wollfarth.
"Përfaqësuesit e këtij institucioni, të cilët kompensohen shumë mirë për punën e tyre, duhet të vihen para përgjegjësisë për raportet e mjegullta që bëjnë për shumë mungesa në ndërtimin e institucioneve shqiptare, kërkohet në studim.
Raportet "politikisht korrekte" të OSBE-së e kanë penguar një analizë të qartë dhe neutrale për difektet e demokracisë shqiptare, për përgjegjësit dhe për rreziqet e së ardhmes. Ky është njëri nga konkluzionet e analizës së Fondacionit Bertelsmann për periudhën 2012- verë 2013."- shkruan DW.
CFARE ESHTE INDEKSI I BERTESMANN
Indeksi i transformimit të Bertelsmannit është i vetmi indeks krahasues ndërkombëtar, që e mat cilësinë e veprimeve të qeverive mbi bazën e ekspertizave të detajuara për 129 shtete. Ekspertizat hartohen nga 250 ekspertë nga universitetet më të shquara të botës, dhe organizata të ndryshme Think Tank.
Fondacioni ka pyetur në vende e ndryshme p.sh. për mundësitë për zgjedhje të lira, për shkallën e lirisë së mendimit. Po edhe për sistemet sociale, për rendimentin ekonomik, për luftimin e korrupsionit.
Indeksi i tranformimit të fondacionit Bertelsmann u prezantua të enjten (23.01.2014) në Deutsche Welle. Aart De Geus, kryetar i Kryesisë të Fondacionit Bertelsmann dhe Drejtori i Përgjithshëm i DW, Peter Limbourg.
STUDIMI: NE TE GJITHE BOTEN ESHTE RRITUR PAKENAQESIA ME PUSHTETIN DHE QEVERITE
Në një vështrim të përgjithshëm, studimi i Fondacionit Bertelsmann thotë se në të gjithë botën është rritur dhe pritet të rritet më tej pakënaqësia me pushtetin, me qeveritë. Kjo lidhet me shtimin e varfërisë në botë si dhe me përjashtimin social. Megjithëse shoqëria civile u ka rezistuar me forcë politikës së qeverive, nuk mund të flitet për një tendencë të re të përgjithshme në zhvillimet politike në botë. Kjo edhe pas përmbysjeve dhe pranverave arabe. Drejtimi i punëve dhe vendimet e fundit mbeten edhe më tej në dorën e qeverive, konstaton Fondacioni Bertelsmann.
Kjo sipas studimit është problematike, sidomos në rastin e Evropës Lindore dhe Juglindore, ku partitë e ndryshme politike nuk kanë rrënjë në shoqëri. Kjo nxit në këto vende afirmimin e lëvizjeve dhe të liderëve populistë. Shkëputja e pushtetit nga njërëzit ka bërë që të shtohen pakënaqësitë në shumë vende të këtij rajoni.
Studimi i Fondacionit Bertelsmann flet për një tendencë regresioni, kthimi pas, në shumë vende të Evropës Lindore dhe Juglindore. Kur qeveritë nuk i arrijnë dot me mjete demokratike synimet e tyre, u kthehen mjeteve të vjetra "të sprovuara" të dominimit e sundimit.
Me përjashtim të Shqipërisë, në vitin 2008, ndarja e pushteteve konsiderohej si e vënë plotësisht në jetë, ose vetëm e reduktuar minimalisht në të gjithë Evropën Lindore dhe Juglindore, konstaton fondacioni gjerman. Por sot, në 2014 kjo nuk mund të thuhet më për 6 nga 18 vendet e rajonit: për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Rumaninë dhe Hungarinë.
(Ne foto: Aart De Geus, kryetar i Kryesisë të Fondacionit Bertelsmann dhe Drejtori i Përgjithshëm i DW, Peter Limbourg dhe faqja e pare e raportit)
Shkrimi origjinal
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)