Ish-gjyqtarja Joana Qeleshi është shprehur se numri i lartë i të paraburgosurve në Shqipëri, është përgjegjësi thuajse direkte e gjyqtarëve, por edhe e prokurorëve.

Komentet Qeleshi i bëri në emisionin ‘RePolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se problemi i numrit të lartë të të paraburgosurve nuk është te ligji, por te zbatimi i ligjit.

“Ne nuk kemi problem ligjin, pasi kemi një legjislacion modern, por kemi problem zbatimin e ligjit. Kemi problem sesi prokuroritë dhe gjykatat kanë perceptuar ndër vite masat e sigurimit. Ligji na e thotë që arresti me burg është masa e fundit në atë rast kur asnjë masë tjetër nuk arrin dot të plotësojë nevojat e sigurimit. Gjyqtarët kanë tendencën që sa të përgojohen, le të rrijë ai tjetri në arrest me burg. Këtu kanë patur një rol negativ gjykatat më të larta. Gjykata e Apelit dhe veçanërisht Gjykata e Lartë duhet të mbajë qëndrime që lidhen me respektimin e ligjit. Ne kemi një vendim unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, kemi vendime të Strasburgut për Shqipërinë posaçërisht për masat e sigurimit”, tha mes të tjerash Qeleshi.

Ajo shtoi se paraburgimi veç të tjerash shkakton edhe drama të mëdha sociale, siç është humbja e punës apo largimi i familjarëve, prandaj sipas saj, kjo masë nuk duhet të aplikohet vend e pavend.

“Çështja është që kur gjykatat nuk përgjigjen me zbatimin e ligjit siç ligji është, atëherë duhet gjetur një zgjidhje. Garancia pasurore është një nga masat më normale nëpër botë. Pjesa e masave të sigurimit është e rëndësishme sepse lidhet me parimin e prezumimit të pafajësisë. Nuk është thjeshtë çështje a duhet të caktojmë një masë arrest me burg apo jo. Në momentin që t’i dënohesh me vendim të formës së prerë bëj burg 10-20 vite sa ta ka caktuar gjykata. Por në rastin kur nuk është dhënë një vendim i formës së prerë, persona që nuk kanë precedentë, ose ata që dyshohen për vepra të lehta, nuk kanë pse të rrijnë arrest me burg. Sepse është edhe impakti social. Arrest me burg do të thotë që humbet punën, familja i largohet… Pra ka një dramë sociale që është përtej masës”, shtoi Qeleshi.


Lajmi kryesor:

KiE ngriti ‘alarmin’ për numrin e lartë të të paraburgosurve, Ndreca: Rasti i Veliajt më skandalozi, mbahet në burg pa prova! Karanxha: Shqiptarët po kalben në qeli