TIRANE- Në Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë parashikohet që të gjithë të dënuarit me vdekje në vendin tonë mund ti drejtohen Presidentit të Republikës për falje. Në mënyrë paradoksale ky nen është ende në fuqi ndonëse 13 vite më parë Gjykata Kushtetuese me një vendim të posaçëm i dha fund dënimit me vdekje në Shqipëri. Bëhet fjalë për nenin nr. 462 të Kodit të Procedurës Penale i cili trajton "Vendimet e Ekzekutueshme" dhe në pikën 3 të këtij neni shkruhet e zezë mbi të bardhë se "I dënuari me vdekje ka të drejtë t'i paraqesë kërkesë për falje Presidentit të Republikës. Paraqitja e kërkesës pezullon ekzekutimin. Çështja i referohet Presidentit të Republikës dhe kryesisht nga gjykata ku vendimi ka marrë formë të prerë". Ndonëse që prej vitit 1999 në Kodin e Procedurës Penale Kuvendi i Shqipërisë ka shtuar ose ndryshuar të paktën 9 herë këtë Kod, neni 462 mbetet i paprekur në vite. Sa herë që ministria e Drejtësisë në këto 13 vite i ka sugjeruar Kuvendit ndryshime apo shtesa në Kodin e Procedurës penale, në asnjë moment ekspertët nuk kanë sugjeruar dhe ndryshimin e këtij neni, i cili sot ligjërisht është "në fuqi". Kodi i Procedurës Penale përfaqëson një nga shtyllat kryesore të jurisprudencës në vend, për përmirësimin e tij janë shpenzuar miliona lekë nga projekte ndërkombëtare dhe janë angazhuar dhjetra specialistë dhe zyrtarë shtetërorë vendas e të huaj, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë ndërhyrë dhe kanë sugjeruar ndryshime në këtë Kod, kryesisht ndryshime që vinin si orientim nga praktikat e vendeve të BE-së.

Dënimi me Vdekje
Aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë lloj vepre penale që mund të dënohet me vdekje. Dënimi i fundit me vdekje në vendin tonë është dhënë më datën 15 Mars të vitit 1995. Asokohe Shqipëria ishte në qendër të kritikave për ligjet e saj mbi dënimin me vdekje nga institucionet kryesore evropiane. Më 29 qershor 1995 parlamenti i atëhershëm në drejtimin e Pjetër Arbnorit miratoi ligjin nr. 7959, për aderimin e Shqipërisë në Statusin e Këshillit të Evropës. Ky akt i parlamentit ndalonte automatikisht dënimin me vdekje, për shkak të kritereve që impononte statusi i ri. Me miratimin e këtij akti Shqipëria hyri në fazën e "pezullimit me afat të pacaktuar" të dënimit me vdekje deri kur në vitin 1999 një vendim i posaçëm i Gjykatës Kushtetuese i dha një zgjidhje përfundimtare çështjes duke hequr tërësisht dënimin me vdekje nga Kodi Penal dhe duke rrëzuar plot 18 nene të Kodit Penal. Një vendim ky , i cili u ndërrmor presionin e një pjese të gjerë të opinionit publik, i cili nisur nga niveli i lartë e kriminalitetit që mbizotëronte asokohe ishte kundër vendimit të Kushtetueses.

Dënimi Maksimal
Që prej vitit 1999 e deri në vitin 2007 duket se legjislacioni shqiptar ishte futur në një tjetër paradoks në raport me aktet dhe marrëveshjet ndërkombëtare që kishte nënshkruar. Kjo ndodhte pasi në Kodin Penal Ushtarak kishte ende nene që parashikonin dënimin me vdekje. Këtë çështje e denoncoi Avokati i Popullit në vitin 2006 duke iu drejtuar zyrtarisht Kuvendit dhe një vit më pas , në vitin 2007, parlamenti shfuqizoi përfundimisht masën e dënimit me vdekje edhe në Kodin Penal Ushtarak. Këto masa drastike certifikuan si dënimin maksimal në vendin tonë masën me "Burg të përjetshëm". Nuk ka rëndësi se çfarë krimi apo katastrofe mund të shkaktojë një shtetas, në çdo rast nëse shpëton pa u ekzekutuar në kushtet e flagrancës dhe del para gjykatës, dënimi maksimal që i jepet autorit do të marrë burgimin e përjetshëm. Ky rregull vlen edhe për vepra tepër të rënda ku hyjnjë shfarosjet, torturat, krimet e luftës, madje dhe shkatërrimi i qyteteve dhe fshatrave të tërë, pasi për të gjitha parashikohet si dënim për autorin "burgimi i përjetshëm".

(ns/shqiptarja.com)