‘Ujë i tepërt’ që ekonomia nuk e përthith dot. Ky është përshkrimi që ekspertët e ekonomisë i bëjnë fluksit të parave që qarkullojnë jashtë vendit.

“Qarkullimi jashtë bankave tregon ujin e tepërt të asaj që ekonomia nuk e përthith dot, por tregon që pak përpjekje janë bërë për të ulur paranë cash”, shprehet eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj.

Shifrat zyrtare tregojnë se jashtë bankave deri në fund të muajit korrik qarkullonin mbi 4 miliardë euro (402.6 miliardë lekë), duke u rritur me afro 97 milionë euro krahasuar me korrikun e 2023-shit.

“Ka të bëjë me pjesën e informalitetit që mbizotëron në ekonomi, dhe e gjithë kjo nuk e lë paranë të futet në ato kanale që do e bënin ekonominë më të shëndetshme dhe do të kishim një model tjetër jo vetëm të të bërit biznes por edhe të asaj që quhet rritje të parave në duart e qytetarëve”, thotë Gjokutaj.

Përtej informalitetit e rrezikut të pastrimit të parave që vjen nga volumi i lartë i parasë fizike, eksperti Eduart Gjokutaj thotë se po konkurrohen edhe bankat, pasi milionat jashtë bankave po përdoren për biznesin e ‘fajdeve’.

“Është rritur shumë edhe paraja informale që sfidojnë edhe bankën duke u aktivizuar ato që quhen dhënie parash me fajde. Paratë në vetvete nuk janë më në duart e konsumatorëve por në mënyrë masive janë grumbulluar në pak duart dhe këtë e ka bërë më së shumti tregu i ndërtimeve, që kërkon volum parash në pak duar, por qoftë edhe me luftën se si po operohet ndaj parasë informale, ku përpjekjet e BSH dhe ministrisë së financave janë të dështuara, dhe ka dalje jashtë kontrolli”, pohon Gjokutaj.

Një sërë masash janë marrë nga institucionet për uljen e cash-it në ekonomi, që nga fiskalizimi, kufizimi i parasë që mund të mbajnë në arkë bizneset prej 150 mijë lekësh, fuqizimi i shërbimeve elektronike e deri tek hapja e llogarive bazike për pensionistët, por ende pa rezultat të dukshëm në reduktimin e parasë jashtë bankave.

PARAJA JASHTË BANKAVE
Korrik 2023     392,896 mln lekë
Korrik 2024     402,631 mln lekë
Diferenca          +9,735 mln lekë