Dibër- Parakalimi në mënyrë të gabuar me makinën e punës i ka kushtuar jo vetëm gjobën efektivit që e drejtonte në tunelin e Murrizit gjatë një parakalimi të gabuar të filmuar dhe publikuar në rrjetet sociale, por edhe një hetim disiplinor për të dhe shefin e Komisariatit të Matit, i cili udhëtonte në makinë.

Policia e Dibrës njoftoi sot masat e marra për këtë rast, menjëherë pas publikimit në rrjetin social "JOQ Albania".

Nga verifikimet rezultoi se në timon ishte Inspektori A.S., ndaj të cilit kolegët e Rrugores morën masën administrative të gjobës me 40000 lekë të rinj dhe drejtuesit të automjetit i janë zbritur 15  pikë nga Leja e Drejtimit.

Por jo vetëm kaq, pasi kryepolici Ilir Proda, pasi u vu në dijeni për rastin në fjalë, ka urdhëruar edhe nisjen e menjëhershme të hetimit për shkelje disiplinore nga ana e Drejtorisë së Standardeve Profesionale.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nisur nga fakti që shkelja është kryer nga punonjësi i policisë dhe me automjet të policisë, shkelje e cila ka impakt tek qytetarët dhe cenon imazhin e Policisë së Shtetit, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e hetimit disiplinor për drejtuesin e automjetit dhe për shefin e Komisariatit të Policisë Mat, i cili ka qenë duke udhëtuar me automjetin e konstatuar në shkelje”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Drejtoria e Standardeve Profesionale, në zbatim edhe të Nenit 121, Ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, e ka nisur hetimin disiplinor ndaj drejtuesit të mjetit Inspektor A.S., dhe Kryekomisar E.S., me detyrë shef i  Komisariatit të Policisë Mat.

Ndaj tyre rëndon dyshimi për akuzën: “kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi” dhe “keqpërdorimi i atributeve/ kompetencave të policisë”.

Policia e Shtetit  falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të Policisë dhe çdo paligjshmëri tjetër duke ju garantuar reagim të shpejtë e profesional”, theksohet në fund të njoftimit.