Ka qënë një Shën Valentin perfekt për Interin. Zikaltërit nuk gabuan, mundën Lazion dhe lanë pas Milanin duke u ngjitur të vetëm në kryesimin e Serisë A.
Djemtë e Antonio Contes triumfuan 3-1 ndaj Lazios në “San Siro” duke ndërprerë ecurinë prej 6 fitoresh radhazi të bardhekaltërve. Protagonisti kryesor i mbrëmjes dhe njeriu i ndeshjes ishte as më pak e as më shumë se Romelu Lukaku. Bomberi zikaltër shënoi dy gola dhe dhuroi një asist.
Në minutën e 22-të belgu shndërroi në gol një penallti të fituar nga Lautaro duke i dhënë avantazhin vendasve ndërsa në fundin e pjesës së parë shënoi edhe golin e dytë duke mposhtur sërish portierin Reina. Lazio e nisi më kërkuese pjesën e dytë dhe e gjeti golin pas një goditje dënimi të Milinkovic- Savic të devijuar nga Escalante por Lukaku u ngjit sërish në katedër me një aksion fantastik dhe dhuroi për Lautaro Martinez golin e tretë dhe këtu u mbyllën llogaritë.
Interi mundi Lazion 3-1 dhe ngjitet në kuotën e 50 pikëve në kryesimin e kampionatit italian. Zikaltërit pas 22 javësh kanë një pikë më shumë se Milani me të cilin do të përballen të dielën e ardhshme. Derbi i Madoninës premton spektakël. /Përgatiti Andi Kapxhiu.