Paralajmërim për arreste

Paralajmërim për arreste
Pritet një dimër me surpriza në Tiranë. Edhe pse nuk pohohet, modeli kroat i ndëshkimit të krimit të veshur me pushtet politik po troket në Shqipëri. Kryebashkiakë socialistë në fillim dhe vetë Berisha më pas, në syrin e ciklonit. Kryeministri Rama e konsideron Doktorin mbrojtës politik të lojrave të fatit dhe kujton dhembjen.

Qendra e saj është në Parlament dhe që ai nuk mund t’jua lehtësojë dot kundështarëve të tij politikë. Sepse si kryeministër ai do të “...inkurajojë prokurorinë të bëjë detyrën deri në fund...” dhe se do “...që drejtësia dhe jo politika të thotë fjalën e fundit lidhur me të korruptuarit”. Epërsia e shifrave në Kuvend i jep të drejtën që edhe në kulmin e seriozitetit, të ketë pak, fare pak mundësi edhe që të tallet me të djathtën e gjunjëzuar. Premton “hakmarrjen” e ligjit dhe fiton edhe një grimë “hakmarrjeje e revanshi” personal mbi njeriun me të cilin urrehet pafundësisht politikisht.

Do të shkojë shumë larg. Do të shkojë shumë lart. Kandidatët për në qeli do të jenë të shumtë. Të paktën ky është ripremtimi i “papritur” i shumicës së re qeverisëse për ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit në vend në javën që shkoi. Kësaj rradhe nuk bëhet më fjalë për deklarime që janë të zakonta për opozitat në Ballkan: Kur të vijmë ne në pushtet, do të ndëshkojmë zullumet e paraardhësve! Kësaj rradhe nuk bëhet fjalë as për fjalitë gjithashtu të zakonta të programeve elektorale po në Ballkan: Ne do të luftojmë korrupsionin dhe do të ndëshkojmë të korruptuarit! Një muaj e ca në qeverisje, shumica e re tashmë ka pasur mundësinë të kontrollojë dosjet në institucionet kryesore të vendit dhe të zbulojë ato që deri dje mund të hamendësoheshin. Në dy rrugët që mbeteshin për t’u zgjedhur, zerim i të shkuarës dhe rikthim në korrigjimin e saj, Edi Rama dhe të tijtë duket se kanë zgjedhur përfundimisht rrugën e dytë. Sinjali i parë i fortë për paditë penale që pritet të vijnë u dha në fillim të javës, kur një proces hetimor i nisur në heshtje muaj më parë, u dorëzua për hetim gjyqësor. Kryetari jetëgjatë dhe shumëmandatësh i bashkisë së Vlorës është tashmë që prej të dielës së fundit të tetorit zyrtarisht nën akuzë për fallsifikim të dokumentave zyrtare. Socialist i hershëm, me një marrëdhënie problematike me vetë Ramën, së paku që prej dy vjetësh, Gjika e sheh veten ndoshta si kurbanin e parë që paralajmëron stuhinë që vjen pas. Sipas zakonit; goditet fillimisht brenda shtëpisë, që më pas, kur të goditet jashtë, publiku të ketë marrë dozën e parë të asaj që pritet të ndodhë.Të enjten, steka e pretendimit për ndëshkim u ngjit edhe shumë më lart. Deri tek ish-kryeministri Berisha. E ngriti vetë kryeministri i ri që e konsideroi paraardhësin e tij si njeriun që e ka mbuluar politikisht aktivitetin kriminal të lojërave të fatit. Dhe po të njëjtën ditë, po nga e njëjta sallë, “daroviti” si shtesë menuje edhe ish-ministrin e brendshëm, por nën të njëjtin etiketim: mbulesë politike e aktivitetit kriminal të lojërave të fatit.

Leximi i kujdesshëm i sinjaleve që vijnë nga politika, por dhe nga ajo çfarë është bërë pjesë e axhendës së përditshme të ministrave të rinj, kryesisht socialistë, po dëshmojnë se dosjet e dikurshme të akuzave të opozitës së djeshme, po mbushen me provat e fundit zyrtare të “zullumeve”, siç parapëlqen të shqiptojë Rama. Burime të rezervuara nga pushteti “purple” pohojnë se janë në përfundim e sipër një sërë dosjesh që do të përcillen në prokurori. Ministria e financave, ministria e brendshme, ministria e punës e ndonjë tjetër, besohet se janë të parat që do të ndjejnë stuhinë. “Do të shkatërrojmë çdo monopol, në qiell, në det dhe në tokë”, tha të enjten Edi Rama, i cili prej tetë vjetësh në krye të PS-së, ka akuzuar pushtetin blu si autor i instalimit të monopoleve në qiell, det e tokë. Dhe sa kohë që ai politikisht duket se është i bindur se ka zbuluar figurën e krimit, i mbetet vetëm të denoncojë mbartësit e tij. Që nuk mund të gjenden kund tjetër, sipas kësaj logjike, veçse në rradhët e qeverisë që ai ka  zëvendësuar prej pak javësh. “Zbulove krimin, por nuk gjete asnjë kriminel”, luajti blofin në Kuvend Berisha në këtë lojë me mace që gjuan dhe mi që lëviz. Sepse 23 qershori ka ndërruar rolet, macet e dikurshme agresive janë shndërruar në minj.

 Shpëtim Gjika

Në pranverën e vitit 2011, marrëdhëniet e Edi Ramës dhe kryetarit me mandat të dytë të bashkisë së Vlorës ishin te ndera. Rama hezitonte t’i jepte Gjikës mandatin politik të partisë së tij për të konkuruar për herë të tretë. Arsyet kanë qenë të ndryshme dhe ato varionin sa nga ndryshimi i raporteve mes socialistëve lokalë, “pavarësia” politike që vetë Gjika dëshmonte ndaj Tiranës dhe bjerrja e besimit personal mes të dyve. Por Gjika vendosi të bëjë sfidë nëpërmjet imponimit. Ai deklaroi se do të kandidonte sërish për bashkinë e qytetit të tij. Dhe në kohën kur Rama ende nuk kishte vendosur se çfarë do të bënte për të nesërmen e tij vetjake – do të konkuronte apo jo për Tiranën – problemi i hapur në bastionin jugor të vendit ishte një dhembje shtesë koke. Me Gjikën, eventualisht në garë edhe jashtë ngjyrës së PS-së, gara për Vlorën mund edhe të kompromentohej. Kështu, me gjysëm zemre, Rama e pranoi faktin e kryer. Gjika fiton mandatin e tretë. Në fund të vitit 2012, në festimet për 100 vjetorin e pavarësisë, u duk se marrëdhëniet e tyre u riparuan. Rama e paraqet Gjikën si modelin e qeverisjes në nivel lokal të PS-së, por kjo dukej se ishte vetëm për konsum politik. Për të mbërritur deri në shkurtin e këtij viti, kur Gjika u vu zyrtarisht nën hetim për së paku dy ndërtime abuzive në Vlorë dhe me dokumente të fallsifikuara. Gjatë fushatës, publikisht, kreu i listës së deputetëve të PS-së në Vlorë, Rama dhe Gjika, shfaqeshin edhe së bashku në publik e ngjante se krisja mes tyre ishte riparuar. Por fitorja në zgjedhjet e qershorit të PS-së dhe konfirmimi i një maxhorance tronditëse të së majtës, nxorri dhe njëherë në dritë plagët e vjetra. Ndër to, edhe ekuilibret e prishura tek socialistët e bazës, sherret dhe rivalitetet mes tyre, herë meskine, herë të nxitura nga xhelozi reciproke dhe herë si rezultat i nervave të lëshuara nga tetë vjet të gjatë në opozitë.

Ka dhe një moment tjetër delikat dhe shumë të rëndësishëm në këtë histori. Menjëherë sapo u bë publike historia e pallatit mbi det, që ndërtohej nga vjehrri i kryetarit aktual të PD-së, Lulzim Basha, pati një dyzim të fortë tek drejtuesit e PS-së në Tiranë dhe reaksion në Vlorë. Vetë Gjika ka dhënë disa herë dëshmi kontradiktore mbi lejen e atij kompleksi, por në të gjitha rastet, ai vetëm sa nxiti zemëratë tek socialistët lokalë, por dhe Tirana rozë, që e lexuan një akt të tillë si një tentativë për t’i shkelur syrin kundërshtarit, me të cilin socialistët ishin në luftë për pushtet sy ndër sy dhe dhëmb ndër dhëmb. Hedhja në erë e dy pallateve me tritol, një në Tiranë dhe një në Vlorë – edhe dy ndërtimet e dyshuar se janë pajisur me leje të fallsifikuar ndërtimi do të ketë të njëjtin fat – është në fakt dhe një rrethim virtual i kompleksit mbi det. Një konstruksion që veç hekurit dhe betonit, ka edhe politikë në aliazhin ndërtimor që e mban në këmbë.

Menjëherë mbas lajmit zyrtar se Gjika ishte nën hetim, Rama dha ndoshta deklaratën më të ekuilibruar politike të karrierës së tij. Më të kujdesshmen dhe formalisht, edhe më të paqortueshmen. “Akuza e prokurorisë është shumë e rëndë dhe artikulimet e ketyre akuzave janë tepër të rënda. Duam të shpresojmë se një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron”....Ne kërkojmë nga drejtësia të bëjë punën e saj pa asnjë pengesë politike. Dëshira jonë është ta shohim Gjiken të çliruar nga akuza dhe duam të provojë pafajësinë me argumente dhe fakte të besueshme, por duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe ne nuk bëhemi mburojë politikë e asnjë të akuzuari për korrupsion e abuzime shtetërore. ...si socialist dhe mik i Shpëtim Gjikës, unë ndihem keq për të dhe në çfarëdo situatë do jem njerëzisht pranë tij dhe familjes së tij dhe sikur ai të ketë gabuar aq rëndë. Por, si kryeministër unë inkurajoj prokurorinë të bëjë detyrën deri në fund dhe duam që drejtësia dhe jo politika të thotë fjalën e fundit lidhur me të”.

Cilido qoftë vendimi i nesërm i gjykatës për Shpëtim Gjikën, një gjë është e qartë: karriera e tij politike pranë PS-së është dëmtuar rëndë dhe ajo që ishte e pamundur dy vjet më parë – ndalimi i kandidimit të tij – dy vjet më pas, ai do të jetë akti më normal dhe i justifikuar, qoftë përpara socialistëve lokalë, qoftë përpara opinionit.

Por me të gjitha gjasat Gjika nuk do të jetë i vetmi dhe i fundmi bashkiak i majtë që do të përballet me akuza penale. Së paku dhe dy bashkiakë të tjerë të rëndësishëm përfliten si rastet bis në axhendën antikorrupsion të qeverisë.

Politikisht, nga një veprim i tillë, Rama si kryeministër fiton dy epërsi: e para, duket se ai do të shtrijë ndëshkimin penal edhe mbi të vetët duke marrë titullin e luftëtarit antikorrupsion, pa dallim ngjyre dhe përkatësie politike dhe e dyta, ky lloj balancimi politik, i heq akuzën e mundshme për hakmarrje politike, kur një gjë e tillë do të ndodhë me të djathtët e ish-pushtetit të djeshëm. “Ne kemi vendosur një standart të vetëm në luftën kundër korrupsionit. Nuk do të ketë asnjë mburojë politike për asnjë të akuzuar për korrupsion dhe abuzime shtetërore. Si kryeministër unë inkurajoj prokurorinë të bëjë detyrën deri në fund dhe dua që drejtësia dhe jo politika të thotë fjalën e fundit lidhur me ta”, mund të thotë nesër. Qoftë dhe si copy paste e fjalës që ai tha për Gjikën. Dhe do të jetë i sigurtë se do të duartrokitet, qoftë në Tiranë, qoftë në Bruksel, i cili i kërkon Tiranës të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit. E thoshte dhe progres raporti.

Por ka dhe një arsye të tretë që e bën Ramën fitimtar ende pa filluar luftën: në këtë mënyrë ai dëshmon forcë edhe brenda partisë së tij, por dhe grupit parlamentar. Shuan, së paku në sipërfaqe, tensionet në atë grup, rrudh pakënaqësitë e kujt e kishte parë pushtetin si një det me kos dhe lugë në dispozicion dhe imponohet edhe njëherë mbi gjithë të pakënaqurit.

 Standart i njehsuar

“Dale, prisni se ende nuk keni parë asgjë!”. Batuta e famshme e Ramës kur diskutohej në Kuvend programi i qeverisë së tij, në vetvete është e pafajshme. Eshtë edhe korrekte. Fjala vjen, ajo është një ftesë e qeveritarëve të rinj për paraardhësit që të shihnin përveçse në letër, edhe në praktikë realizimin e programit. Por në program është dhe premtimi për luftë kundër korrupsionit. Dhe korrupsioni hipotetik i së nesërmes, luftohet në mënyrë profilaktike duke luftuar dhe korrupsionin e së djeshmes. Të enjten, Rama hodhi sërish zarat në tryezë. Duke testuar pulsin e publikut më së pari. Mbasi i mbajti atij frymën me aksionin kundër lojërave të fatit – luftoi paligjshmërinë edhe duke e ndëshkuar në bllok e kolektivisht me mbi 6 mijë policë – ai ka një gjë të qartë. Qytetarëve i kishte ardhur në majë të hundës loja me fatin që si rregull e bënte fatin t’u buzëqeshte vetëm pronarëve të lojrave. Dhe mbas këtij momenti, zemëratën e tij, ai e adresoi... dhe ku tjetër mund ta adresonte..., tek dy individë. Sali Berisha, e pastaj si “kontorno” për shkak të ish-detyrës së tij, edhe tek Flamur Noka: “Lojërat e paligjshme të fatit përcaktohen në ligjet e Republikës së Shqipërisë si krim ekonomik. Ky krim ekonomik në formën e një veprimtarie kriminale të mirorganizuar ka lulëzuar në çdo cep të Shqipërisë... Si ka mundësi që në gjithë këtë bahçe bixhozi, në gjithë këto lule të mbjella në ruleta, nuk ka një raport të vetëm të shkruar nga cilido qoftë në zinxhirin e krimit ekonomik në policinë e shtetit. Kjo mund të ndodhi vetëm nëse ky aktivitet kriminal ka mbulimin politik të kryeministrit dhe ministrit të brendshëm. Askush tjetër nuk mund ta garantojë një aktivitet të tillë kriminal”.

Dhe më pas, me stilin e tij figurativ, shumëfishoi frazën e dikurshme: “Dale, prisni se ende nuk keni parë asgjë!”, me shumë më tepër ashpërsi: “Dhimbjet sapo kanë filluar, lufta jonë me krimin e organizuar dhe posaçërisht me krimin ekonomik do të jetë e pashpirt dhe ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj lufte me çdo çmim. Kush është i ngatërruar me ato zorrë, do të ketë dhimbjet e barkut dhe fatkeqësisht qendra e atij barku është këtu në parlament. Ne nuk mund t’jua lehtësojmë dot ato dhimbje”, tha ai në seancën e të enjtes në Kuvend. Çfarë ka parasysh me dhembjet? Rrethimin e ish-kryeministrit me një numër ish-ministrash deputetë dhe ish-zyrtarësh të lartë që do të dërgohen në prokurori? Mos vallë këta ish-ministra kanë drejtuar financat, rendin, ministrinë e punës e deri atë të kulturës? Apo dhe diçka më shumë? Për shembull faktin se një pjesë e madhe e tregut të lojrave të fatit e kontrollonte dikush tjetër, i aftë të ushtronte ndikim të pafundëm tek tatimet në Tiranë. Tom Doshi, deputet i PS-së këtij dikushi i vë emrin e djalit të kryeministrit. Në Tiranë ka të paktën dy vjet që përmendet një mundësi e tillë. Ka shumë dëshmitarë që e pohojnë.

Ka dhe një tjetër detaj të fshehur: ajo që shihet është shumë më pak se ajo që po ndodh realisht. Ndoshta modeli kroat i ndëshkimit të krimit të veshur me pushtet politik po tentohet të aplikohet edhe në Tiranë. Sali Berisha e di më mirë se kushdo një gjë të tillë. Ndaj një javë më parë, po të enjten, po në Kuvendin e Shqipërisë sfidoi maxhorancën e re që ta dërgonte atë vetë në prokurori. Në jurisprudencë mund të shërbejë dhe si aksiomë: kush kryen krimin, është dëshmitari më i mirë i rethanave në të cilat ndodh krimi. Nëse ka ndonjë arsye konkrete për të vajtur Sali Berisha në prokurori, këtë gjë, më mirë se kushdo tjetër e di ai vetë. Përtej ashpërsisë së krahasimit që çalon si çdo krahasim, por po në jurisprudencë nuk konsiderohet mëkat që SHBA dikur nuk mundi ta ndëshkojë Al Caponen për më shumë sesa mëkati pothuaj “i pafajshëm” i evazionit fiskal.

Një lojë e madhe po luhet. Asgjë nuk është e sigurt se do të ndodhë dhe mund të ndodhë. I sigurt është vetëm një fakt: një dimër plot supriza po troket në Tiranën politike. Një dimër që mund të ndryshojë gjithçka sepse do të jetë një dimër përvëlues.

Marre nga revista Java
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë