Jo të gjithë punonjësit që i kanë hequr nga puna përpara 10 prillit e kanë marrë ndihmën financiare, e shkak për këtë janë bërë vetë punëdhënësit. Por kjo situatë nuk do të kalojë pa ndëshkime! Kryeministri Edi Rama zbuloi se do të gjobiten të gjitha ato biznese të mëdha që nuk kanë aplikuar pranë Drejtorisë së Tatimeve në mënyrë që punonjësit e tyre të përfitojnë 40 mijë lekëshin.

“Kjo është e patolerueshme! Sot ne do të miratojmë një gjobë për bizneset e mëdha, që tradhtojnë me këtë papërgjegjshmëri të plotë sociale punonjësit e tyre, duke mos marrë mundimin të bëjnë aplikimin në emër të kompanisë për ta. Pikë e zezë! T'u mohosh punonjësve të tu një pagesë që s'ua jep ti po shteti!!! Le të provojnë të mos e bëjnë urgjent dhe e shohim sa mirë do u dalë kjo papërgjegjshmëri sociale!”, shkruan Rama.

Gjithçka është zbuluar nga vetë ankesat e të hequrve nga puna. Ata kanë plotësuar formularin e ankesave pranë Drejtorisë së Tatimeve, prezantuar më 2 maj, duke treguar me emra punëdhënësit që i kanë lënë në baltë duke i hequr nga dora padrejtësisht përfitimin e ndihmës.

Ende nuk ka një numër të saktë, por burime nga Drejtoria e Tatimeve thanë për Report TV se ankesa deri më tani ka pasur nga shumë qytetarë, të punësuar në kategori të ndryshme biznesi dhe kryesisht tek ai i madh, që kanë qenë të hapur me urdhër të Ministrisë, por që janë prekur nga pandemia COVID-19.

Aplikimet për ndihmën nga paketa e dytë financiare kanë nisur më 21 prill, dhe pritet të përfitojnë 176 mijë punonjës.

Po të njëjtat burime bëjnë me dije pritet të hidhen në sistemin e përfituesve edhe punonjësit e rafinerisë së naftës në Ballsh, të cilët po ashtu janë kategori përfituese, dhe më pas të mund të nisin aplikimin

Deri më tani e kanë marrë pagën  75 mijë e 818 punonjës dhe paguar mbi 3 miliardë e 32 milionë lekë. Ndërsa është refuzuar pagesa për 3137 punonjës.

Statusi i plotë i Edi Ramës

Në mënyrë të përsëritur, individë që përfitojnë nga Paketa e Zgjeruar, më shkruajnë në Whatsap, drejtohen këtu, në Ministrinë e Financave ose tek Tatimet, e me plot të drejtë ankohen se punëdhënësi i tyre (disa subjekte në kategorinë biznes i madh), nuk aplikon për ta dhe kësisoj ata nuk po e marrin dot ende Pagesën 40 mijë Lek! Bëhet fjalë për punonjës të larguar nga puna deri në datën 10 prill, të cilëve një numër jo i madh po as i vogël punëdhënësish u kanë kthyer kurrizin! Kjo është e patolerueshme! Sot ne do të miratojmë një gjobë për bizneset e mëdha, që tradhëtojnë me këtë papërgjegjshmëri të plotë sociale punonjësit e tyre, duke mos marrë mundimin të bëjnë aplikimin në emër të kompanisë për ta! Kush nuk do ta marrë mundimin të aplikojë tek tatimet, që punonjësit të marrin pagesën 40 mijë lek, do të gjobitet për çdo punonjës që ka braktisur në këtë mënyrë të patolerueshme! Pikë e zezë! T'u mohosh punonjësve të tu një pagesë që s'ua jep ti po shteti!!! Le të provojnë të mos e bëjnë urgjent dhe e shohim sa mirë do u dalë kjo papërgjegjshmëri sociale! Ndërkohë vazhdon shpërndarja e ndihmës financiare dhe këtë javë nis lëvrimi i këstit të dytë të pagës së luftës, si edhe ndihmës ekonomike dyfish. Po vijojmë të asistojmë rreth 3 mijë individë që nuk kanë aplikuar për Pagën e Luftës, si edhe një numër individësh të tjerë, të cilëve u është miratuar, por ende jo lëvruar paga për shkak të pasaktësisë në aplikime, ku nuk kanë njoftuar kodet e duhura bankare. Asnjë s'do mbetet pa marrë atë që i takon me ligj e me zakon!