Paralajmerohen protesta të mëdha sindikale

Paralajmerohen protesta të mëdha sindikale
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në konferencë për media kritikoi qeverinë e Kosovës dhe privatizimin, proces ky sipas BSPK ka rezultuar me pasoja fatale për vendin dhe qytetarët.

Haxhi Arifi, kryetar i BSPK tha se mbi 70 mijë punëtorë që kanë kontribuar me dekada të tëra në ndërmarrjet prodhuese të Kosovës, si pasojë e këtij procesi të privatizimit sot enden rrugëve.

"Ky proces privatizimi, i kryer në shumicën e rasteve pa kurrfarë kushtëzimesh për vazhdimin e aktivitetit të mëparshëm prodhues e punësues, e ka deindustrializuar vendin, duke e kthyer kësisoji Kosovën në një vend që vetëm konsumon. Privatizimi i deritanishëm e ka ndaluar prodhimin dhe ka prodhuar papunësi." shkruan edhe komunikata e dërguar nga BSPK.

Ata tregojnë vendosmërinë për të kundërshtuar shitjen e ndërmarrjeve publike PTK-së dhe KEK-ut si dhe likujdimin e ndërmarrjes Trepça.

"Gjatë kësaj kohë ne kemi organizuar tri tryeza me temë “Privatizimi në Kosovë”, dy konferenca për medie, një peticion i cili është shtrirë në të gjitha komunat dhe ndërmarrjet publike të Kosovës, një protestë gjysme ore në ndërmarrjet PTK, KEK dhe Trepça nga punëtorët e këtyre ndërmarrjeve." shkruan në komunikatë.


BSPK shpjegon edhe takimet që i kanë bërë me grupet parlamentare LDK, VETËVENDOSJE!, AAK dhe AKR, dhe nga të gjithë kanë marrë zotimin se në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës që do të mbahet nesër me datën 17 shtator 2012 do ta mbështesin një mocion të përbashkët që do ta ndërpres procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike PTK-së, KEK-ut dhe likujdimin e Trepçës.

BSPK dhe organizatat që mbështesin peticionin ju bëjnë thirrje edhe një të gjitha grupeve parlamentare që në këtë seancë të Kuvendit të Kosovës të votojnë duke respektuar vullnetin e qytetareve dhe të punëtoreve të shprehur në peticionin e organizuar nga BSPK dhe se në të kundërtën do të protestojnë me 20 Shtator.

"Këtë peticion e kanë nënshkruar 63.200 qytetarë duke shprehur vullnetin e tyre kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike PTK, KEK dhe likujdimin e Trepçës.
Nëse Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të shprehur në peticion, vullnetin e punëtorëve dhe sindikatave, ne si nismë e përbashkët e këtyre organizatave do të protestojmë fuqishem me datën 20 shtator 2012 për ta parandaluar nënshkrimin e kontratës ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe koncersiumit Limak-Çalik për shitjen e Rrjetit të Distribucionit të KEK- ut" thonë BSPK dhe 27 organizatat që mbështesin kundërshtimin e privatizimit.

Kjo protestë është e pashmangshme, thonë BSPK dhe se në rast të mos miratimit të kërkesave u bëjnë thirrje të gjithë punëtorëve dhe qytetareve që janë të zhgënjyer me zhvillimet ekonomike në vend, të bëhen bashkë për ta parandaluar një shkatërrim të mëtutjeshëm të ekonomisë së Kosovës.

/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi