Avokati Përparim Caca ka analizuar në emisionin ‘Repolitix’ në Report TV protestën e sotme të thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha.

Caca tha gjatë fjalës së tij se protesta e sotme ishte më e vakët në numër se protesta e 24 janarit, por sipas tij, kishte më shumë dhunë.

“Besoj se ishte thuajse identike me protestën e kaluar, ndoshta pak më e vakët në numër, por në pjesën e dhunës besoj se ishte pak më e intensifikuar. Të paktën në pjesën e fundit. Sepse ndodh që edhe në protestën e kaluar, por edhe në këtë protestë, pasi valëvitet flamuri në fund, aty fillon ajo breshëria, ai arsenali, i cili është i parapërgatitur. Gjykoj që në rastin konkret si protestë ishte e qetë dhe në fund gjoja për të justifikuar faktin që njerëzit janë të irrituar dhe gjoja që irritimin e shprehin në këtë mënyrë”, tha mes të tjerash Caca.

Caca vijoi më tej duke thënë se dy protestat e fundit të PD-së, paralajmërojnë se në protestën e 20 shkurtit të thirrur nga opozita do të ketë më shumë dhunë.

“Në mënyrë absolute, asnjë lloj dhune nga asnjë palë nuk është e pranueshme. Të dyja këto protesta janë preludi i asaj se çfarë do të ndodhë në datën 20 shkurt. Në datën 20 pritet një protestë shumë herë më e dhunshme. Kjo nuk do na çojë askund, por e vërteta është që të gjitha këto thirrje bëhen që të kemi sa më shumë pamje të tilla”, shtoi Caca.

Ndërkohë analisti Arben Meçe gjatë diskutimeve në studio është shprehur se Berisha është dirigjenti i gjithë dhunës dhe hedhjes së molotovëve në protestë.

Meçe shtoi se Berishës i interesonte që të kishte vrasje policësh në protestë, pasi sipas tij, kështu lajmi do të rrëmbente vëmendjen e publikut dhe të mediave ndërkombëtare.

"Direktiva e doktorit në këtë fazë është që të kishte djegie ose vrasje policësh. Pse? Ky aksion, sidomos kjo goditje këtu është një ngjarje e re. Te Parlamenti trupa është e përqëndruar, e mbledhur në një vend. Te Kryeministria policët janë shirit. Efektiviteti i goditjes nuk është i njëjtë. Këtu është hedhur mes policëve. Berishës i duhet vrasje. Atij i intereson publikimi i ngjarjes", tha mes të tjerash Meçe.

Nga ana tjetër, avokati Rezart Kthupi shtoi se në protestën e PD-së janë konsumuar disa vepra penale. Ai vijoi më te duke thënë se molotovi është një lëndë që ka sfond luftarak, duke qenë se përdoret në taktika të caktuara luftarake.

Ndërkohë juristja Alesia Balliu është shprehur se protesta e ditës së sotme e Partisë Demokratike kishte më pak njerëz se protesta e shkuar, por më shumë dhunë. Ajo shtoi gjithashtu se protestat Berisha po i thërret për mbijetesën e vet politike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:30
‘Molotovi ka sfond luftarak’- Kthupi analizon protestën e Berishës: Janë konsumuar disa vepra penale, u sulmuan policët

Avokati Rezart Kthupi është shprehur se gjatë protestës së sotme të PD-së janë konsumuar disa vepra penale.

Komentet Kthupi i bëri në emisionin ‘RePolitix’ në Report TV, ku tha se jemi në kufijtë e ‘goditjes për shkak të detyrës’ të efektivëve të policisë.

Ai shtoi se para proteste diskutohej se kishte disa kamera me rezolucion të lartë të vendosura në vende të caktuara, të cilat sipas Kthupit, do të bëjnë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Teksa foli për hedhjen e molotovëve, Kthupi tha se duke qenë se përdoret për taktika ushtarake, molotovi njihet botërisht si armë që ka sfond luftarak.

“Jemi në kufijtë e goditjes për shkak të detyrës. Nëse goditet një oficer i forcave të rendit, një anëtar i forcave të rendit, është një person që është në detyrë dhe është goditje për shkak të detyrës. Pastaj do hyjmë të diskutojmë nëse molotovi do të konsiderohet si armë luftarake. Edhe fishekzjarrët nuk lejohen të shiten në Shqipëri. Hipotetikisht molotovi është armë. Përsa kohë që është përdorur në taktika luftarake, njihet botërisht si një armë që ka sfond luftarak.

Minimalisht ka disa vepra penale dhe për sa kohë që shkon një grup i kriminalistikës, tregon që vullneti për të hetuar është. Para se të niste protesta, diskutohej që kishte kamera me rezolucion të lartë. Pamjet filmike do të jenë të rëndësishme për të treguar se kush hodhi molotov. Jemi në kushtet kur vepra penale është konsumuar. Tani duhet gjetur kush është autori i veprës penale”, tha mes të tjerash Kthupi.

Ora 21:59
Molotovët në protestën e PD, ‘trondit’ Meçe: Berisha donte vrasje të policëve, ai dirigjoi dhunën para Parlamentit

Analisti Arben Meçe është shprehur se kryedemokratit Sali Berisha i interesonte që sot të kishte vrasje policësh në protestë.

Komentet Meçe i bëri në emisionin ‘RePolitix’ në Report TV, ku tha dirigjenti i dhunës në protestën e sotme të opozitës është vetë Sali Berisha.

Ai shtoi gjithashtu se Berisha donte vrasjen e një ose disa policëve, në mënyrë që protesta e tij të rrëmbente vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Meçe i bëri thirrje gjykatave dhe prokurorisë që të mos amnistojnë protestuesit e dhunshëm, që hodhën molotov drejt efektivëve të policisë ditën e sotme.

“Berisha del me flamur, jep direktivën dhe pastaj fillon sulmi. Në dallim nga protesta e parë, këtu aksioni ishte më agresiv. Sulmi me molotov është vepër penale. Sistemi jonë i drejtësisë në emër të asaj se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, i ka amnistuar këta këtu. Ndërkohë doktori i stimulon me tezën e prodhimit të heroit, që në syrin e tij do të jenë ata persona që janë eskalioni i besueshëm i tij. Direktiva e doktorit në këtë fazë është që të kishte djegie ose vrasje policësh. Pse? Ky aksion, sidomos kjo goditje këtu është një ngjarje e re. Te Parlamenti trupa është e përqëndruar, e mbledhur në një vend.

Te Kryeministria policët janë shirit. Efektiviteti i goditjes nuk është i njëjtë. Këtu është hedhur mes policëve. Berishës i duhet vrasje. Atij i intereson publikimi i ngjarjes. Sot mediat e Berishës diskutonin se cila media ndërkombëtare do jepte lajmin. Vrasja e një polici e bën çështjen mediatike. Dirigjenti i vetëm është Sali Berisha, me synim të qartë për të vrarë policinë. Sot pati tentativë të tmerrshme për të vrarë njerëz. Prokuroria dhe gjykatë s’duhet të jenë më në kushtet e një proteste normale”, tha mes të tjerash Meçe.

Ora 21:44
‘Pak pjesëmarrje’- Alesia Balliu ‘skanon’ protestën e PD: Ka zero besueshmëri te qytetarët! E thirri Berisha për mbijetesë politike

Juristja Alesia Balliu është shprehur se protesta e sotme e PD-së kishte më pak pjesëmarrje se protesta e 24 janarit, por më shumë dhunë.

Komentet Balliu i bëri në emisionin ‘Repolitix’ në Report TV, ku tha se këto protesta organizohen nga Berisha për mbijetesën politike të lidershipit të PD-së.

“Kjo ishte pak më e dhunshme se protesta e kaluar, por kishte më pak njerëz. E gjithë kjo protestë bëhet për mbijetesë politike të lidershipit të saj. Militantët e PD-së janë aty. Por a mobilizon qytetarët kjo protestë? Jo. Duke mos ditur se ku do shkojë, protestat Berisha i ka kthyer në disa protesta rutinë. Nëse ndryshimi është real, çdo gjë ndodh spontanisht dhe jo me skenar”, tha mes të tjerash Balliu.

Balliu shtoi gjithashtu se besueshmëria e kësaj proteste është shumë e ulët, për shkak se si Berisha, ashtu edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, janë nën hetim nga SPAK.

Kjo sipas Balliut krijon perceptimin te qytetarët se protestat nuk organizohen për hallet e tyre, por për të mbrojtur lidershipin e PD-së nga drejtësia.

“Besueshmëria e kësaj proteste është zero. Nuk mund të bëjë ndryshimin lidershipi aktual i PD-së kur janë nën hetim nga SPAK, si Berisha, ashtu edhe sekretari i përgjithshëm Flamur Noka. Kështu që krijohet perceptimi se kjo protestë bëhet për t’u mbrojtur lidershipi nga drejtësia”, vijoi më tej Balliu.