Sendërtimi i kabinetit Rama në shtator, më solli në vëmendje një ngjarje të kabinetit të Revolucionit të Qershorit 1924.

Gjatë punës hulumtuese në Arkivin e Shtetit lidhur me aktivitetin patriotik të Sali Vranishtit, gjeta një dokument interesant, në të cilin Qeveria e Nolit nxirrte në pension krahas Bajram Currit e Hysni Currit edhe gjyshin tim.

Një nga shkaqet kryesore të rënies së kësaj qeverie me përkrahje masive popullore nga Jugu në Veri, është se Noli e quante me të arsyeshme të mbante flautin në dorë, se t'i qëndronin në krah burra të tillë që i kishin garantuar pushtetin, në një kohë kur rreziku i qëndronte te porta. Dihet fati i kësaj qeverie, ashtu siç njihet edhe epilogu i jetës së këtyre tre patriotëve të shquar.

Në shtator qeveria e mazhorancës së majtë starton për të përligjur votën plebishitare. Ajo do vihet në provë jo vetëm përballë elektoratit të saj apo opozitës, por edhe faktorit ndërkombëtar. Programi i Rilindjes deri tani është në letër.

Atë do ta vënë në jetë ata që do marrin përgjegjësi konkrete. Mendoj se përzgjedhja e administratës së re nuk mund të bëhet vetëm duke vlerësuar CV-të e secilit aplikues. E them këtë se nëse determinon ky mentalitet, qeveria do të degjenerojë shumë shpejt.

Unë gjykoj se administrata e re nuk ka nevojë thjesht për njerëz që kanë kreditet e duhura intelektuale, por kur kualiteti profesional gërshetohet me karakterin e qëndrueshëm. Po të nisemi thjesht nga CV-të, të rrallë mund të jenë ata intelektualë që e kanë CV-në si Kastriot Islami.

Por koha tregoi se shembuj të tillë sa janë të pështirë, janë edhe të dëmshëm. Dhe për hir të së vërtetës ky takëm është shtuar. Ata janë në pritje për të nxjerrë veshët. Në administratën e re nuk duhet të ndodhë siç ngjau pas Luftës së Vlorës, kur ata që u gjakosën mbi pritat me tela u shpërblyen me një kg rrush dhe një qylaf, ndërsa në krye të vendit zunë vend ata që e kundronin gjëmimin e armëve nga kafenetë apo ambjentet e bixhozit.

Në administratën e kabinetit Rama duhet të përfshihen ata që kanë sakrifikuar në emër të ndërtimit të shtetit ligjor dhe që mbi ndërgjegjen e tyre nuk rëndojnë mëkate morale. Ne rast se mëkatarët moralë vijnë me lugë në brez në emër të kontributit politik për të rrëmbyer thelën më të majme, pushteti i ri do shënjestrohet në radhë të parë nga votuesit e tij. Kam besim se Rama do të dijë të ndahet njëherë e mirë nga eksperiencat e hidhura të kaluarës së largët apo të afërme. Të shpresojmë se një faqe e re do hapet për Shqipërinë.