Paralelet që nuk bëhen dot me 26 Majin

Paralelet që nuk bëhen dot me 26 Majin

Mero Baze

Ka një sërë paradoksesh sot, në enturazhin mediatik të Lulzim Bashës, i cili për ironi të fatit është në shumicë një brez gazetarësh të majtë, që tentojnë të evokojnë atë që ndodhi pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, me atë që ndodh sot me djegien e mandateve nga opozita.

Paradoksi i parë ka të bëjë me përpjekjen për të barazuar zgjedhjet e 26 Majit, totalisht të grabitura me zgjedhjet e qershorit 2017.

Zgjedhjet e 26 majit janë më shumë se zgjedhje të vjedhura. Ato janë një proces i destabilizuar nga dhuna shtetërore, dhe opozita i braktisi ato në mesditë, duke mos u bërë pjesë e tyre. Dhe ajo nuk e njohu Parlamentin e dalë nga ato zgjedhje dhe nuk pranoi të merrte dhe ato dhjetë mandate që u la Sali Berisha.

Zgjedhjet e Qershorit 2017 u bënë nga një qeveri ku shumica ishte e opozitës dhe nuk ka asnjë ankesë zyrtare prej saj, pas përfundimit të procesit.

Në cilësinë e tyre ato janë zgjedhjet më të mira të Shqipërisë, pas një marrëveshje kurajoze të Edi Ramës që siç e ka thënë dhe Sali Berisha, më pas, vetë ai nuk do ta bënte kurrë.

Dy vjet më pas, opozita nuk është se ka kuptuar se i janë vjedhur votat, por ka kuptuar se nuk fiton dot më dhe tenton të rrëzojë sistemin. Ky është një vendim i guximshëm dhe radikal, fundi i të cilit nuk varet më as prej opozitës, as prej qeverisë, por prej mënyrës se sa shoqëria do ta besojë alibinë e re të Sali Berishës. Nëse zgjedhjet e 26 Majit, opozita i braktisi kur kishte shanse t’i fitonte, nëse do ishin të lira, zgjedhjet e Qershorit 2017 opozita i drejtoi vetë dhe i humbi, përballë një kryeministri që bëri fushatë “me tuta dhe batuta”, duke i mundur i vetëm, thellë. Ato jo vetëm që nuk kanë asgjë jolegjitime, por janë ndoshta suksesi më i madh politik i Edi Ramës, falë guximit të tij deri në papërgjegjshmëri, për ta përfshirë kundërshtarin e frikësuar në proces, duke i ofruar pushtet në tavolinë.

Pardoksi i dytë i po këtij enturazhi mediaktik, është qëndrimi i ndërkombëtarëve.

Në zgjedhjet e majit 1996, komuniteti ndërkombëtar, SHBA dhe Komuniteti Europian, ishin pa hezitim njëzëri në krah të opozitës. Sali Berisha, ishte jo vetëm i izoluar, por i shënjestruar për t’u larguar si një diktator nga SHBA e Europa. Komenti i parë i SHBA për zgjedhjet e 26 Majit, ishte se ato janë një hap mbrapa për Shqipërinë dhe se zgjedhjet duhet të përsëriteshin së paku në 40 zona

Qëndrimi i sotëm i SHBA dhe BE, është njëzëri kundër opozitës, duke quajtur qeverinë legjitime dhe duke mos ja pranuar as në frymë, as në detaje, aktin e djegies së mandateve. E vetmja gjë e përbashkët është se si më 26 maj dhe sot, Perëndimi është kundër Sali Berishës dhe pro socialistëve. Disa komente navie që tentojnë të krahasojnë Leni Fisherin, Groskruk, apo dikë tjetër si Perëndimorë, me deklaratat e sotme të përfaqësuesve zyrtarë të Europës, më shumë vënë në siklet Sali Berishën se sa e ndihmojnë atë. Leni Fisher mund të krahasohet sot vetëm me Doris Pack, në dëshpërimin e saj të sinqertë, për t’i dalë zot marrëzisë së Berishës.

SHBA, ODHIR dhe Komuniteti Evropian më 26 maj ishin në një gjatësi vale, për zgjedhje të papranueshme dhe i qëndruan atij vendimi, derisa Sali Berisha u rrëzua nga pushteti.

Pardoksi i tretë është dhe më banal, pasi kur i referohen 26 Majit bëjnë sikur ajo që ka ndodhur nuk ka lidhje me të njëjtin njeri që dogji mandatet e opozitës sot, me Sali Berishën. Si atëhere dhe sot, i njëjti njeri tenton të marrë ose mbajë pushtetin me forcë, duke hyrë në luftë me Perëndimin dhe shqiptarët.

Madje ky është thelbi i gjithë krizës së re që po tenton ti imponojë shoqërisë shqiptare sot opozita. E vetmja gjë që ka përparuar, është se grupi i Ilir Metës në atë kohë ka qenë pro Berishës, por jo hapur, kurse sot është hapur dhe zyrtarissht me të. Pra e vetmja gjë që ka ndryshuar nga 26 maji, deri më sot, është rrugëtimi i Metës nga “delfin” i Berishës, në aleat publik me të. Qesharake është dhe dhe përpjekja për të bërë krahasime mes Sali Rexhepit dhe deputetëve të listës që po hyjnë në Kuvend, duke zënë vendet bosh të opozitës.

Sali Rexhepi në atë kohë ka bërë një akt politik personal, duke mos qenë njeri i rëndësishëm politik i opozitës dhe nuk i ka shërbyer për asgjë Sali Berishës, pasi ai ndërkohë kishte bërë 125 deputetë. Por Sali Rexhepi ka fituar vetë si deputet në garë direkte, dhe ka fituar përballë një makinerie politike dhe shtetërore të dhunshme. Deputetët që sot po hyjnë në Parlament, janë autopsia e kalbëzimit të opozitës së Lulzim Bashës, janë njerëz të futur në lista nga Lulzim Basha dhe Ilir Meta, të cilët nuk ndjejnë detyrim politik ndaj tyre, pasi janë në lista, për të eleminuar kundërshtarët real të Bashës në parti dhe për të krijuar një fluks jopolitik, që t’i mbyste ata.

Tani Basha e Meta po paguajnë çmimin me të cilin deshën të bënin pronë private listat e tyre. As ata nuk i shërbejnë për asgjë Edi Ramës në Kuvend, por janë një dëshmi diskretituese e mënyrës se si lidershipi i opozitës, ka mbyllur garën dhe ka prodhuar një sistem vlerash të dyshimta për interesa të tyre të ngushta.

Paradoksi i fundit është qëndrimi ndaj zgjedhjeve lokale. Edhe pse socialistët nuk e njohën Parlamentin dhe nuk pranuan zgjedhjet e Sali Berishës, tre muaj më pas ata hynë në zgjedhjet lokale.

Opozita e sotme është ende konfuze, se çfarë duhet të bëjë me zgjedhjet lokale dhe rri e mban me shpresa militantët, duke u thënë se do bëhen në një ditë me zgjedhjet parlamentare, duke çuar praktikisht drejt shkrirjes strukturat politike të opozitës dhe duke rrezikuar vdekjen klinike të saj. Por e gjithë përpjekja e Lulzim Bashës, për të përdorur historinë e suksesshme të socialistëve që bojkotuan kuvendin dhe hynë tek ai Kuvend, kur rrëzuan Sali Berishën, vlen vetëm për të kuptuar se Lulzim Basha dhe për mirë dhe për keq, mbështetet tek historia e Sali Berishës në politikën shqiptare.

Rasti që ka zgjedhur për t’u frymëzuar, i duhet kujtuar që është një rasti i keq për Sali Berishën dhe rast krenar për socialistët. Ai ndoshta nuk e di mirë, se atëhere iku me gruan dhe lekët e “VEFA”-s, për t’u sorrolatur në Hollandë gjoja me studime dhe ndoshta ka qenë vërtetë me socialistët, pasi familja e gruas ishte enveriste, por nëse e ka seriozisht se e adhuron atë që ka bërë opozita më 26 Maj, duhet t’ia nis punës, duke hequr qafe shkaktarin e 26 majit që e ka në krye të qoshes.

Nuk mund të jetë Sali Berisha i 26 Majit, frymëzim për Sali Berishën e djegies së mandateve. Se pastaj duket sikur është nisur të rrëzojë Edi Ramën e po varros Sali Berishën.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Disiplina mbush me gjoba Kategorinë e Parë

Disiplina mbush me gjoba Kategorinë e Parë