Drejtësia e re shqiptare po përpiqet të mbajë të ndarë klasën politike në Shqipëri, por dhe vetë Partinë Socialiste brenda saj, duke përdorur standarde të ndryshme gjykimi jo vetëm mes politikanëve të lartë të partive të ndryshme, por dhe mes politikanëve të lartë brenda PS.

Me standardet e shumëfishta që ka vendosur në ndëshkimin e politikanëve të lartë, ajo ka kryer një akt të mirëfilltë  të përfshirjes në politikë. Pra, nga një institucion hetimi si SPAK apo gjykimi si GJKKO e Gjykata e Lartë, ato janë kthyer në një institucion të diversionit politik. Ka shumë njerëz që thonë që këtë e kanë bërë nga paaftësia, por nuk duken dhe aq mendje idiote sa ç’duan t’i justifikojnë.

Sot, për shembull, Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e Erion Veliajt për t’u liruar nga paraburgimi, duke gjykuar një kërkesë të tij për zëvendësim mase arresti 13 muaj më parë. Vendimi erdhi pasi Gjykata e Lartë bëri një show me një vendim të unifikuar të Kolegjit Penal, duke krijuar idenë se do zbuste masat e paraburgimit, ndërkohë që i ka shtuar ato me shume pas vendimit. Për më tepër, erdhi dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që urdhëron Gjykatën e Lartë të shqyrtojë paraburgimin e Veliajt, duke ia hedhur poshtë vendimin e parë asaj.

Për të gjithë ata që e mbajnë mend, arsyetimi përse Erion Veliaj duhet të mbahej në burg para 13 muajsh nuk ishte më akuza që po ngrihej për korrupsion, por se ai ishte sjellë keq në qeli, kishte folur në telefon me familjarë dhe kishte sharë Ulsiun, si dhe kishte pyetur gruan dhe vëllain se çfarë shkruajnë gazetat. Pastaj, me makinerinë e baltës dhe propagandës, prokurori i çështjes në disa portale fundërinash futi plot gënjeshtra për të argumentuar se sjellja e keqe në qeli ishte argument për moszëvendësim të masës së arrestit. Ulsiu shtoi dhe policë në sallë operacioni se mos vriste mjekët Veliaj.

Në fakt, ai nuk është në burg për sjellje të keqe në qeli, por për akuzat që ka ngritur prokurori dhe kërkesa për të mos qëndruar në paraburgim lidhej me mungesën e fakteve ndaj tij. Nëse ishte sjellë keq në qeli, ai mund të merrte dënim të ri për sjellje të keqe, por jo t’i mohohej zëvendësimi i masës së arrestit.

Sidoqoftë, kjo histori tani është kthyer në një dramë politike ku aktori kryesor nuk janë politikanët, por korporata e re e drejtësisë shqiptare.

Operacioni më i suksesshëm politik i drejtësisë së re është që ka arritur të përdorë PS kundër PD, PD kundër Partisë së Lirisë, Partinë e Lirisë kundër PS e kështu me radhë, duke aplikuar standarde të ndryshme sjelljeje ndaj zyrtarëve politikë respektivë në hetim dhe në imponimin e ndëshkimit mbi GJKKO.

Kjo ka bërë të krijojë një kakofoni sulmesh dhe mbrojtjesh sipas interesit politik. Berishën dhe dhëndrin i la të lirë për një akuzë korrupsioni për kapjen e shtetit. Ilir Metën e arrestoi me brutalitet dhe e mban dy vjet brenda se gruaja e tij ka përdorur një kartë krediti të kushëririt që bënte biznes në Shqipëri me Argitën dhe Monikën. Veliajn e ka futur në paraburgim 15 muaj se dyshohet që aktiviteti i një OJQ-je të gruas së tij ka donatorë nga biznese që kanë interes në bashki, ndërsa Ilir Beqaj, në mënyrën më absurde, mbahet në burg prej dy vitesh se një ndihmës i tij ka marrë një faturë fiktive 3 mijë euro tek një restorant ku ka qenë aksionere gruaja e tij.

Përmes kësaj skeme, SPAK dhe gjykatat e varura prej tij arritën të sigurojnë simpati dhe mbrojtje nga të gjithë krahët për t’u dukur të balancuar, ndërkohë që në fakt kanë bërë kujdes që në gjithë këtë histori më pak i dëmtuar të ishte Berisha. Madje atij po i mbyllin dhe çështjen e vrasjeve në bulevard pa e pyetur fare.

Tani kanë kaluar në një fazë të re. Meqë arrestimet dhe hetimet kanë goditur në mënyrë masive qeverinë, duke shkuar deri në paradhomën e Edi Ramës, janë përfshirë në politikat e brendshme të PS. Për të krijuar një kakofoni zërash edhe brenda pushtetit, ata po aplikojnë disa standarde dhe brenda PS, çka u siguron atyre heshtje dhe sulme jo në bllok, por nga individë të prekur prej tyre brenda PS.

Kështu çdo vendim i gjykatave është arritur të interpretohet ose pro Veliajt ose kundër Ballukut, ose pro Karçanajt ose kundër Beqes, duke krijuar kështu një hartë interesash dhe sherresh brenda PS me qëllim që askush të mos i sulmojë në grup për standardet e tyre të shumëfishta. Dhe në këtë lojë të pistë janë përfshirë të gjithë, që nga SPAK deri tek Gjykata e Lartë.

Jam shumë i qartë përse e bëjnë këtë. Thjesht nuk e duan pushtetin të bashkuar pro apo kundër tyre, ashtu siç nuk e duan klasën politike të bashkuar pro ose kundër tyre. Ata tani kanë pushtetin e tyre dhe po përpiqen të merren me politikë që të mos ua prekë njeri.

Por ndërsa unë dhe të tjerë jemi të qartë se e kuptojnë çfarë bëjnë, një socialist i thjeshtë nuk e kupton dot që dikë që e shpall grup kriminal nga pushteti e lë të lirë, ndërsa dikë që e akuzon për një faturë restoranti e lë 2 vjet në paraburgim. Apo nga një anë ankohen pse parlamenti nuk ua dorëzoi lejen për të arrestuar Ballukun dhe nga ana tjetër Gjykata e Lartë voton kundër vetes së saj dhe kundër Gjykatës Kushtetuese për një zëvendësim mase arresti me paraburgim, si në rastin Veliaj.

Kështu ata kanë mundur të krijojnë paranojën se Berishën e kanë frikë dhe aleatët, dhe Ramës ia kanë pirë lëngun; se Erionin e ka futur në burg Bela, ndërsa Belën ka tentuar ta fusë në burg Erioni; se Karçanajn si grup kriminal e ka mbrojtur Rama, ndërsa Ilir Beqajn e ka shitur, e kështu me radhë.

Duke krijuar me ligësi këtë panoramë përçarëse përmes standardeve të ndryshme që kanë aplikuar, jo të imponuara nga PS, por nga mendja e tyre djallëzore, ata praktikisht kanë arritur t’i përçajnë të gjithë dhe të kalojë në heshtje paaftësia e tyre për të hetuar dhe gjykuar, dhe fakti që akoma nuk kanë asnjë hetim të përfunduar si gjykim që të qëndrojë në këmbë, përveç propagandës së tyre popullore.

Gjithë çështja është që të krijojnë përshtypjen se sulmet ndaj tyre janë individuale dhe lidhen me interesa konkrete, pasi ata vetë janë parimorë.

Në fakt, ata janë të vetmit joparimorë në këtë histori dhe e kanë katandisur reformën në drejtësi duke lënë klasën politike dhe opinionin publik të merret me ligjet, ndërsa ata vetë të merren me politikë duke “përçarë dhe sunduar” një klasë politike frikacake, të korruptuar dhe pa personalitet, të cilëve praktikisht tani ua kanë marrë të gjitha pushtetet.