Parandalimi i pastrimit të parave, institucionet forcojnë bashkëpunimin për raportim dhe mbikqyrje

/ATSH/- "Raportim, bashkëpunim, mbikqyrje", ka qënë ky trinomi i një konference të veçantë të zhvilluar sot në Tiranë me objektiv rritjen e angazhimit institucional për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.
Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, Ministria e Drejtësisë, Dhoma Kombëtare e Noterëve, Zyra e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe misioni EURALIUS kanë shkëmbyer opinione dhe diskutuar lidhur me nevojën për rritjen e bashkëpunimit institucional mes tyre për të arritur objektivat e parashikuara për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Në këtë takim, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPP), Genti Gazheli tha se vlerëson pjesërmarrjen e këtyre institucioneve në takim si tregues të interesit për çështjet e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Gazheli iu referua edhe vlerësimeve të bërë në këtë sektor nga raporti i fundit i progresit të BE-së, sidomos në kapitullin e luftës kundër krimit të organizuar.
Më pas drejtori i përgjithshëm i DPPP përmendi në mënyrë konkrete detyrimet që kanë zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme si nëpunës publik, apo detyrimet specifike që mund të kenë noterët në parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe injektimit të fondeve të krimit në përgjithësi në ekonomi.
Sipas Gazhelit, "nga analizimi në vite ka rezultuar se afro 50% e rasteve të dyshuara për pastrim parash kanë kaluar medoemos tek noteri dhe ZVRPP për regjistrim të pasurive të tyre të paluajtshme", duke kërkuar që raportimet e rasteve të dyshimta të vlerësohen si detyrim ligjor.
Kryetarja e Dhomës së Noterëve të Shqipërisë, Mimoza Sadushi  theksoi rritjen e bashkëpunimit me DPPP, por shtroi edhe një sërë kërkesash, mes të cilave edhe aksesin në rregjistrin elektronik të akteve noteriale. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policise, Çipa u ndaj në përvojën e policisë në bashkëpunimin institucional jo vetëm me DPPP, por edhe me institucionet e tjera të shtetit.
Dr. Rainer Deville, Shefi i Misionit EURALIUS, duke përshëndetur takimin tha se misioni që drejton ka një bashkëpunim permanent me Dhomën e Noterëve të Shqipërisë, se po punohet për ndryshimin e ligjit që rregullon veprimtarinë e këtij sektori, me qëllim që noterët të garantojnë zbatimin e ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe shtoi se do të duhet që këto ndryshime të sjellin që kontratat e një shume të caktuara parash të certifikohen nga noterët dhe madje edhe nga bankat dhe se për këtë po punohet intensivisht.
Takimi vijoi me diskutimin e çështjeve të caktuara teknike dhe të bashkëpunimit të ndërsjelltë mes institucioneve pjesëmarrëse.

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në ish-uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh