Parandalohet tentativa për futjen në Shqipëri të një sasie të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme

Parandalohet tentativa për futjen në Shqipëri të një sasie të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme

1582234997_amiant.jpg

Një sasi e konsiderueshme amianti, mbetje e rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin e ndaluar me ligj në Shqipëri, është zbuluar nga policia në një traget që vinte nga Brindisi i Italisë, pa u lejuar që amianti të nxirrej nga trageti i mbërritur në portin e Vlorës. Lënga e amiantit ishte sjellë nga Italia me traget në drejtim të portit të Vlorës me qëllim për t'u depozituar në Shqipëri - thotë policia, ndërsa njofton se janë arrestuar 6 personat përgjegjës me origjinë nga Vlora, mes tyre edhe një grua 55-vjeçare. 

Amianti është një fibër natyrale që përdoret për ndërtime, por mjaft i rrezikshëm për shëndetin, arsye pse është rreptësisht i ndaluar dhe me ligj në Evropë e më gjerë, por edhe në Shqipëri. Amianti, një ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kancerogjene, është përdorur për të ndërtuar kryesisht tavane të vjetra, apo iziolime termike apo kundërzjarre, por tashmë është i ndaluar me ligj.

Operacioni u zhvillua nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Drejtoria për Kufirin e Migracionin Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës dhe Ministrinë e Mjedisit.

Për shkak të hetimeve është vënë në sekuestro në cilësinë e provës materiale trageti, një fugon mallrash dhe një sasi e madhe e dyshuar me mbetje amianti.

Policia thotë se kishte marrë informacione në rrugë operative nga strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, "se me një traget që ishte nisur nga Italia po transportohej një sasi e konsiderueshme me mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ambientin, me qëllim për t'i depozituar në Shqipëri".

Me organizimin e punës dhe në bashkëpunim me Policinë vendore të Vlorës dhe atë Kufitare, u finalizua operacioni policor i koduar "Amiant", në kuadër të të cilit u bë arrestimi i gjashtë personave, të gjithë me banim në Vlorë, mes të cilëve edhe një grua 55-vjeçare, një 28-vjeçar, më i riu në moshë dhe një i moshuar 71-vjeçar.

"Gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës  Brindisi - Vlorë dhe konkretisht në pjesën fundore të garazhit, është gjetur dhe sekuestruar me cilesinë e provës materiale një sasi e papërcaktuar mbetjesh të ndaluara e të dyshuara të rrezikshme, për të hyrë në Republikën e Shqipërisë. Nga ana e Policisë u kryen veprimet procedurale ku në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua trageti si dhe sasia e mbetjeve, të cilat nuk u lejuan të dilnin nga ambienti i tragetit. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, “Menaxhimi i mbetjeve” dhe "Transportimi i mbetjeve”, njoftoi zyrtarisht policia.

6 të arrestuarit:

Kujtim Xhafellari 65 vjeç banues në Vlorë - Zëvendës kapiten i tragetit S.T.DAMIAN
Arber  Cuni, 28 vjeç, banues në Vlorë - Shoferi i fugonit  tip Iveko , me targe AA 417 SC
A.B, 48 vjeç, banues në Vlorë - Drejtori operativ i një agjencie tragetesh
Festim Tafa, 72 vjeç banues në Tiranë - Kapiteni i tragetit S.T.DAMIAN.
Elisabeta  Cuni, 55 vjeç, banuese në Vlorë - Administratore e firmës së pastrimit "Delfini 1".
Zamir Kornuzi, 46 vjeç, banues në Vlorë - Pronari i pikës së grumbullimit firma "Kornuzi


Lajmi kryesor:

Zbulohet trafiku i mbetjeve toksike/ Amianti kancerogjen bllokohet në tragetin nga Italia, groposej në Vlorë! SKEMA që zbatonin 6 të arrestuarit


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase