TIRANE - Në vitin 2014, në drejtim të organeve përkatëse janë raportuar 462 raste të dyshuara për pastrim parash, ndërkohë që janë nxjerrë 65 urdhra bllokimi të përkohshëm, që kapin një vlerë totale prej rreth 18 milionë Euro, nga të cilat rreth 15 milionë Euro janë sekuestruar me vendim gjykate apo prokurorie.

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Gent Gazheli, ka raportuar para Komisionit Kuvendor Për Sigurinë Kombëtare ku solli në vëmendje vendimin e marrë pak ditë më parë në Francë, në takimin vjetor të Guidës Ndërkombëtare e Riskut të Shteteve dhe FATF, (Task Forca për Aksionin Financiar, të dyja organizata botërore, të cilat bëjnë analizën e shteteve në drejtim të parandalimit të pastrimit të parave dhe të luftës kundër financimit të terrorizmit), vendim i cili sanksionoi se vendi ynë nuk është më pjesë e vendeve në monitorim nga FATF.

“Janë nxjerrë 65 urdhra bllokimi të përkohshëm, që kapin një vlerë totale prej rreth 18 milionë Euro, nga të cilat rreth 15 milionë Euro janë sekuestruar me vendim gjykate apo prokurorie, shifra këto që tejkalojnë bindshëm të gjitha bllokimet dhe sekuestrimet e viteve 2009-2013 të mbledhur së bashku”- nënvizoi drejtori i DPPPP përpara deputetëve.

Parandalimi
Deputetët e Komisionit për Sigurinë Kombëtare kanë mësuar edhe tregues të tjerë që lidhen me efikasitetin e sistemit parandalues në vend, mbi dyfishimin e raporteve e dyshimta që kanë dërguar subjektet e ligjit. Kështu, nga 462 rastet e dyshimta të referuara në organet ligjzbatuese, për 162 prej tyre është arritur përcaktimi i lidhjes së mundshme me veprën origjinuese/mëmë, nga ku rrjedhin paratë në proces pastrimi.

Dominojnë trafikimi i lëndëve narkotike dhe fshehja e të ardhurave/evazion fiskal, raste që kanë lidhje me korrupsionin/shpërdorimin e detyrës, etj. Gazheli u ndal edhe në shqyrtimin e raporteve vjetore të punës së Prokurorisë së Përgjithshme, në lidhje me pastrimin e parave. Ai nënvizoi se për periudhën 2009-2013 Prokuroria ka regjistruar 231 procedime penale; ka dërguar në gjykatë vetëm 22 procedime ose 9.5 % të rasteve, në të cilat ka pasur 42 të pandehur. “Ndërsa nga gjykatat është dhënë vendim dënimi për 20 persona, – pra mbi 50% të rasteve”, - tha në këtë raportim, drejtori i Përgjithshëm i DPPPP.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)