PARIS - Ministrja franceze e Kulturës, Fleur Pellerin shkaktoi habi duke mos arritur të citonte një titull të vetëm të romaneve të shkrimtarit francez, Patrick Modiano, kurorëzuar tre javë më parë me çmimin Nobel për Letërsinë.
Pyetur të dielën nga një gazetare e stacionit televiziv "Canal" në lidhje me librat e Modianos se cilin do të preferonte, ministrja u përgjigj: "Eh, eh...", duke mos arritur të citonte asnjë titull të romaneve të autorit.
"Pranon pa asnjë problem që nuk kam pasur kohë të lexoj që prej dy vjetësh. (...). Lexoj shumë shënime, shumë tekste ligjore, lajme, lajme të AFP-së, por lexoj shumë pak letërsi", u përgjigj ajo.
Fleur Pellerin, diplomuar në Shkollën Kombëtare të Administrimit (ENA) ku është arsimuar një pjesë e madhe e elitës politike franceze, theksoi se kishte drekuar me nobelistin, autor i "La Place de l'Etoile", "Rue des boutiques obscures" dhe "Dora Bruder" dhe cilësuar nga disa kritikë si Prusti i kohëve tona.
Më 9 tetor, ministrja e Kulturës e kishte cilësuar si një ditë e lumtur për letërsinë franceze marrjen e çmimit Nobel. "Mungonte vetëm kjo fitore për Patrick Modianon që përfaqëson sot në botë vitalitetin dhe influencën e letërsisë franceze", kishte deklaruar ajo në një komunikatë.
"Është e trishtueshme, më vjen keq për atë ... Një ministre Kulture duhet të zhytet në letërsi, jo vetëm në detyrat politike", theksoi dje shkrimtari maroken, Tahar Ben Jelloun, anëtar i jurisë për çmimin prestigjioz francez të letërsisë "Goncourt".
"Është e pamundur që ajo nuk mund të citojë një libër të vetëm të Modianos. Është e turpshme. Më duket e dhimbshme, por ne jetojmë në një kohë ku kultura është trajtuar me indiferencë", vijoi romancieri./ATSH/