Përpara se të nisë vizitën zyrtare në Vjenë, kryeministri Edi Rama është ndalur në Paris, ku u zhvillua takimi vjetor i Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë. Në kryeqytetin francez, Rama është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Një shtrëngim duarsh mes Ramës dhe Vuçiç, ndonëse nuk jepen detaje për fokusin e bisedës, por njësoj si Shqipëria edhe Serbia pret çeljen e negociatave me BE në muajin qershor.

Ka qenë ish-kryeministri suedez, Carl Bildt i cili mban detyrën e Kreut të Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, që ka publikuar fotot në rrjetet sociale nga ky takim. Në fjalimin e tij në këtë konferecë, Rama e vuri theksin te perspektiva europiane e Shqipërisë në prag të vendimit të Brukselit për çeljen e negociatave. Kreu i qeverisë shqiptare ka përsëritur se feja e shqiptarëve është Europa.

Europa është feja jonë. E tmerrshme nëse kjo ndryshon. Jam i shqetësuar për perspektivën europiane pas mbledhjes së Qershorit. 

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë

(Gjatë t​​​​​​akimit vjetor të Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë në Paris)

Nga ana e tij, diplomati suedez, Carld Bildt kritikoi BE-në për punën e bërë në drejtim të Ballkanit Perëndimor. Ai ka thënë se Rusia dhe Turqia po shfrytëzojnë këtë hapësirë të lënë nga Brukseli. 

Rusia dhe Turqia po bëjnë punën e tyre shumë mirë. Por a do të jetë gati Evropa të bëjë punën e saj me Balkanin. Çështja e madhe që po mbizotëron. Ballkani nuk duhet të mbetet çështje e zvarritur për BE. Jo opsionit të një statusquo-je për Ballkanin, Europa ose shkon përpara ose rrëshqasim në të shkuarën.

Carld Bildt,  Kreu i Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë

Pas qëndrimit në Paris, Rama do niset në Austri ku pritet të takohet me homologun austriak, Sebastian Kurz, në vijim të lobimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE. Apelin drejtuar BE-së për çeljen e negociatave kryeministri Edi Rama e bëri edhe gjatë një interviste për "France 24". Kreu i qeverisë i kujtoi Brukselit se një vendim pro Shqipërisë nuk do kishte asnjë qindarkë shtesë për llogaritë e BE. 

Nuk kërkojmë para nga Europa. Negociatat nuk i kushtojnë asnjë qindarkë Europës, por janë rrugëtim për të vijuar reformat.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë