Parisi, parfumi që
nuk njohin parizienët

Parisi, parfumi që <br />nuk njohin parizienët
Prej kohësh duke menduar sesi mund të sugjerohet lexuesve tanë që duan të udhëtojnë drejt Parisit, nëpërmjet një guide turistike, ishim në dilemë se cili do të do të ishte personazhi dhe mënyra e duhur për të ndërtuar atë. Fati e solli që në Tiranën tonë, të vijë një pariziene e cila është historiane dhe vjen shpesh për të dhënë leksione në një universitet privat. Malka Marcovich, arrin deri tek ne falë pasionit të gazetares së njohur Briseida Mema, e cila ka përpirë me një frymë librin ”Parizienet”. Botimi në frëngjisht është mjaft i veccantë, ai sjell një këndvështrim që edhe parizienët nuk e njohin sa duhet. Ndaj ka fituar një jehonë të madhe në median franceze. Librin, turistët shqiptarë mund ta blejnë vetëm në Francë, dhe nëse dinë gjuhën frënge mund ta shijojnë e ta përdorin për të njohur më mirë Parisin. Por për shqiptarët që janë këtu dhe dëshirojnë të udhëtojnë drejt kryeqytetit francez, prania e Malkës në Tiranë është si një ccelës për të hapur një derë që përshfaq një Paris ndryshe nga sa mund të lexohet në shumë guida të tjera turistike.

AROMA E FSHEHTË E GRUAS
“Parisi, qytet i hapur i botës ku mbivendosen dhe ndërthuren historitë individuale me ato kolektive, djep i kulturës, vend i krijimit, metropoli magjik, i bukur, elegant ….” Kështu shkruan Malka në hyrjen e librit të saj, por në bisedë me ne thellon më shumë sesi i lindi idea për të parë Parisin tjetër, Parisin femëror tashmë jo nga jashtë, por nga brenda shpirtit, atë Paris që lëviz, që jeton dhe që pakkush arrin ta përkapë, por që tani falë ndihmës së saj mund ta shijojë në një dimension të ri.
“Edhe kur thua Paris ka një parfum shumë femëror brenda vetë fjalës. Gjithmonë flitet për Parisin bjond, për vajzat e Parisit, Ideja ime lindi duke menduar që shumë flasin shpesh edhe për modën e Parisit, për elegancën e grave të Parisit, muzikën dhe gjithçka që lidhet me imazhin e një gruaje. Njëherë i bëra pyetjen vetes se çfarë ka bërë Parisi për këto gra që qenka kaq i personifikuar në këtë figurë femërore.
Kur pashë dhe studiova se çfarë ishte Parisi dhe çfarë do të rekomandoja për Parisin në udhëtim, pashë se nga 6 mijë rrugët e tij, 4 mijë prej tyre kanë emra mashkullorë dhe vetëm 200 mbajnë emrat e grave të shquara. Atëherë unë mendova përse nëpërmjet këtyre emrave të mos paraqesim Parisin dhe të nderojmë këto gra që në fund të fundit kanë kontribuar në këtë qytet, që i kanë dhënë rrugën kopshteve të Parisit, rrugëve, hapësirave publike ku jeta është kaq e gjallë?”
Malka vijon duke përmendur lagje si Montmartri e cila ka shumë gra, aty kanë jetuar Suzanne Valadon, Louise Michel apo gjendet edhe sheshi Dalida.
“Ndërmjet tyre”- thekson Marcovich, -” duket sikur zbuloj poezinë dhe atmosferën e tyre rrugëve, dhe ndërkohë unë zbuloj edhe historinë e atyre njerëzve që i kanë dhënë Parisit emrin së bashku me parfumin e gruas. Kjo është në përfitim edhe të turistëve por edhe të të gjithë atyre që kërkojnë të dinë më shumë”.

MUZIKA DHE SHPIRTI, TË GJITHA BRENDA PARISIT
“Kur viziton një qytet nuk mund të lësh pa vizituar edhe muzikën, edhe ndjenjën, edhe lulet edhe shpirtin edhe njeriun. Parisi është të gjitha këto bashkë. Është një ndjenjë më shumë se një gjë që preket”.
Këtu Malka ndërpret bisedën. Nga iphone nxjerr muzikën e Xhajmen Taifen, sepse duhet dëgjuar patjetër. E ka zbuluar rastësisht.Një muzikë e ëmbël me flaut, kërkon të sfidojë zhumën muzikore të lokalit ku jemi ulur dhe ia del mbanë sepse mjafton të sjellësh ndër mend disa imazhe të Parisit dhe bën lidhje me melodinë. “Kjo muzikë shoqëron rrugët e Parisit dhe tregon zhurmat e jetës. E imagjinoni dot që shumë njerëz nuk e njihnin këtë grua ndërsa muzika e saj i shoqëron të gjitha rrugët,parqet dhe kopshtet e mëdha ku njerëzit shëtisin pa fund!” - shpjegon Malka vetëm kur melodia ka mbaruar. Një tjetër detaj ky për të mos u humbur nëse shkoni në Paris.
TË TAKOSH FEMRAT MITIKE
Një shëtitje në Paris mund të ndahet sipas interesit, por nëse i referohemi ndarjes që autorja i ka bërë librit “Parisiennes” mund të fillojmë me pjesën e tij të parë. Aty flitet për gra që kanë pasur një dimension mitik, mbretëresha, gra politike, gra që kanë bërë rezistencën, shenjtore. Pra të gjithë ata që janë të interesuar për të realizuar një udhëtim në histori, ia vlen të vizitojnë Notre Dame dhe 11 rrugët që i referohen Virgjëreshës. Ka edhe një aveny si dhe dy rrugëza të vogla që mund të eksplorohen. Lagjja e Madalenës është një stacion i detyruar sidomos gjatë Krishtlindjeve. për të gjithë ata turistë që preferojnë të prekin luksin parizien. Por mos harroni të vizitoni edhe avenyne Saint Eugenie. Kjo është shenjtorja e parë që u vesh si burrë dhe pati fund tragjik duke u vrarë nga një gladiator. Deri para pak kohësh në Francë ishte në fuqi një ligj që ndalonte veshjen e femrave si meshkuj, dhe kjo mund të lejohej vetëm me një autorizim…shumë debate kanë pasuar këtë ligj deri në heqjen e tij.
Duhet të vizitoni edhe rrugën Pompadour, markezës, që u bë e dashura e Luigjit XV. Rruga është hapur në shekullin e 19-të dhe në të është ndaluar lëvizja e makinave.

KALIMI “MBRETËRESHA E HUNGARISË”
Malka Marcovich, tregon edhe për kalime te vogla që janë të mrekullueshme për tu parë dhe ku njerëzit ecin në këmbë. Njëra syresh quhet “Mbretëresha e Hungarisë”, Ajo gjendet mes rrugëve Montmartre dhe Montorgueil. Në fakt asnjëhërë kjo mbretëreshë nuk ka qenë atje. Por aty ka qenë një grua që ka shitur në atë rrugë që quhej Zhyli Beshër (Julie Becheur) dhe kur Maria Antuaneta (Marie Antoinette), gruaja e mbretit Luigji XVI priti një delegacion grash që ishin shitëse në atë lagje, ishte edhe kjo gruaja. Dhe Maria Antuaneta duke parë fytyrën e Zhyli Beshër, tha se ajo i ngjante nënës së saj dhe nëna e sai ishte mbretëresha e Hungarisë, perandoresha e parë e Europës. Kur Zhyli Beshër u kthye në Paris, të gjithë filluan të thërrisnin mbretëresha e Hungarisë dhe vendi ku ajo banonte u quajt i tillë. Kur ndodhi revolucioni francez, dhe kur Mari Antuanetës iu pre koka, edhe kësaj gruaje ia prenë kokën, sepse ishte takuar me Mari Antuanetë. Pasi tregon këtë histori Marcovish përshkruan lagjen në ditët e sotme. “Tani kjo lagje është shumë e gjallëruar. Nga njëra prej lagjeve më të vjetra të qytetit është shndërruar në një lagje ku ka shumë dyqane, shumë pazare, kafene. Konsiderohet si një nga lagjet më shik dhe më në modë të kryeqytetit francez. Dhe vazhdon të mbajë emrin e mbretereshës së Hungarisë. Ja pra që edhe një histori shumë e vogël zbulon një histori të madhe, duke shëtitur në Paris”.

SHESHET “ARTISTE”  NË MONTMARTRE
Në vitin ‘96 Parisi do t’i jepte njërit prej shesheve ne Montmartre emrin e këngëtares së njohur Dalida, një egjiptiane që theu tabutë në vendin e vet, dhe që nga aktore u shndërrua në një këngtare të famshme. Por më e njohur ajo u bë për fatin e keq në të gjitha historitë e dashurisë. Artistja u vetëvra duke lënë pas fjalët”Më falni, por jeta më ishte bërë e padurueshme?
Po në Montmartrë mund të shikoni sheshin Suzanne Valadon, kushtuar piktores së njohur që ka jetuar në këtë zonë.
E vetmja urë mbi Senë që mban emrin e një gruaje është ajo e Simon de Beauvoir, intelektuales që krijoi moton “grua nuk lind, por bëhesh”, bashkëshorte e Jean Paul Sartre. Nga kjo urë që ndodhet pranë bibliotekës Francois Miterrand, mund të sodisësh Parisin e vjetër dhe Notre Dame.
Në faqen jugore te kodrës gjendet sheshi Louise-Michel. Me një sipërfaqe prej dy hektarësh ai është një nga vendet më turistike në Paris. Emri i këtij sheshi është vendosur në vitin 2004 në kujtim të një figure emblematike të lëvizjes punëtore, anarkiste dhe feministe.

PARISI SIÇ NUK E  NJOHIN PARIZIENËT
“Të përjetosh një shëtitje, do të thotë që brenda ecjes të kesh edhe ndjenjën edhe shpirtin edhe muzikën, pra nuk është një shëtitje pasive, por një ndjenjë e mirëfilltë. Një shëtitje, romantike edhe historike në një qytet që është aq i ngarkuar me histori, art kulturë dhe që unë do të thosha që është vërtet një dritë për gjithë botën. Prandaj gjeta edhe faktin e grave sepse sjellin diçka tjetër nga shpirti i tyre, janë më të brishta, më delikate dhe ato i kanë dhënë këtë nuancë Parisit. Personalisht, edhe pse jam pariziene vetëm duke bërë këtë libër e njoha Parisin si dhe zbulova gra e këtë aromë gruaje që unë nuk e njihja më parë. Ndonëse jam pariziene kam filluar ta shoh Parisin në një tjetër mënyrë.” Ky është pohimi i Marcovich. Përfundimi derivon nga lumturia e civilizimeve të Frojdit. Qyteti mban shtresëzime kujtese dhe ndërton site arkeologjike mendore të tilla që nuk mund të humben.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza