DURRËS- Vijat blu të shfaqura ditët e fundit në rrugët dhe sheshet publike të Durrësit po sinjalizojnë një ndryshim të rëndësishëm. Një pjesë e madhe e hapësirave ku deri më sot parkimi ishte falas, së shpejti do të tarifohen. Bëhet fjalë për një vendim të miratuar nga Këshilli Bashkiak i Durrësit dy vite më parë, i cili megjithëse kishte mbetur i pazbatuar për një periudhë të gjatë, duket se tashmë po hyn në fazën finale.
Sinjalizimi horizontal me ngjyrë blu është hapi i parë i dukshëm i projektit që synon menaxhimin e parkimit në zonat më të frekuentuara të qytetit. Sipas skemës së miratuar nga bashkia, qyteti ndahet në dy zona tarifimi.
Zona A përfshin qendrën dhe rrugët me aktivitet të lartë tregtar, ndërsa Zona B përfshin akse me periferike. Në Zonën A, ku përfshihen rrugë si “Taulantia”, “Currilat”, bulevardet “Epidamn” dhe “Dyrrah”, tarifa do të jetë 100 lekë/ orë. Në Zonën B, ku përfshihen rrugët “Aleksandër Goga”, “Mujo Ulqinaku”, “Stefan Kaçulini” dhe të tjera, tarifa do të jetë 40 lekë/orë.
Parkimi me pagesë do të aplikohet nga e hëna në të premte. Gjatë sezonit turistik, nga 1 qershori deri më 30 shtator, tarifimi do të jetë aktiv nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa pjesën tjetër të vitit deri në orën 18:00.
Përveç rrugëve, me pagesë do të jenë edhe gjashtë sheshe publike, mes tyre hapësira pranë Porto Finos, poshtë Urës së Dajlanit, pranë Mauzoleut të Dëshmorëve dhe në territorin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”. Tarifat në këto sheshe do të variojnë nga 100 lekë për dy orët e para deri në 500 lekë për qëndrimin 24-orë. Bashkia ka parashikuar përjashtim nga pagesa për banorët rezidentë të zonave ku do të zbatohet skema, por procedurat ende nuk janë bërë publike.
Banorët e Durrësit shprehen të shqetësuar, duke i konsideruar tarifat të papërballueshme. Një vajzë e re, e punësuar në një biznes në qendër të qytetit, shprehet për Report TV se “unë parkoj 8 orë në ditë para punës dhe kështu do më shkojnë 10 mijë lekë në muaj vetem për parkim."
Ndërsa një banor tjetër shprehet se ne tashmë përballojnë taksa të shumta dhe se parkimi, duhet të mbetet pa pagesë.
Zbatimi i skemës së re vjen në një periudhë kur Durrësi përballet me rritje të fluksit të automjeteve, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse tarifimi do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit.
Bashkia e Durrësit nuk ka pranuar të japë një prononcim zyrtar lidhur me datën kur nis aplikimi, megjithatë, jashtë kamerës, disa zyrtarë bëjnë të ditur se tarifimi mund të nisë në muajin shtator.
Komente










