Kampusi i ri i Universitetit “Aleksandër Moisiu” ka tashmë projektin fitues. Pas garës ku morën pjesë pesë ekipe ndërkombëtare, juria përzgjodhi projektin e paraqitur nga bashkimi i kompanive 51N4E+51N4E me JESHILE Landscape Design.
Përzgjedhja u bë pas prezantimit të projekteve finaliste, të cilat konkurruan për një nga investimet më të rëndësishme të planifikuara për arsimin e lartë në Durrës.
Gara mblodhi plot 41 ekipe shqiptare dhe ndërkombëtare bashkë me vizionet e tyre për kampusin e ri universitar të Durrësit por u përzgjodhën pesë ekipet më të mira : 51N4E+Jeshile, Bjarke Ingels Group (BIG), FRPO Rodriguez & Oriol, OZ dhe Practica me partnerët e tyre.
Më herët, gjatë aktivitetit prezantues, kryeministri Edi Rama tha se kampusi i ri do të shënojë një fazë të re për universitetin, duke krijuar një qendër studentore që do të funksionojë gjatë gjithë ditës dhe do të përfshijë edhe hapësira rezidenciale për studentët.
“Sot jemi në kushtet kur kemi gati zanafillën e një projekti shumë të madh për kampusin e ri universitar të Durrësit, për të investuar në një zhvillim që do të përmbyllë një proces të nisur shumë vite më parë dhe do të mundësojë që këtu të ketë një qendër studentore 24 orë. Ne duam t’i japim drejtim edhe çështjes së mprehtë të strehimit të studentëve gjatë periudhës së studimeve, pasi konviktet nuk kanë kapacitetet e duhura për t’i përballuar të gjithë. Ky është një tjetër rezultat i protestës së studentëve të vitit 2018. Solli kushte shumë të mira në konvikte dhe laboratorë shumë më të mirë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që ky proces duhet të shkojë një shkallë më tutje. Krijimi i një zone rezidenciale për studentët bën të mundur që studentët të kenë një strehim më të arsyeshëm, por nga ana tjetër edhe të socializohen. Nuk është ky kampus një zhvillim që përjashton atë tjetrin. Kolegji i Europës po ndërtohet në Tiranë dhe është një zhvillim tjetër spektakolar dhe atje do të krijohet mundësia që të ketë hapësirë të konsiderueshme edhe për Universitetin e Tiranës”, tha Kryeministri.
Komente










