TIRANE-- Kuvendi i Shqipërisë po diskuton sot disa ndryshime në ligjin "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër terrorizmit". Po diskutohet dhe
Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2011”.

RAPORTI PER BSH, BODE MBRON FULLANIN, KODHELI: RUAN GJUHEN E QEVERISE
Ministri Financave Ridvan Bode mbrojti aktivitetin e Bankës së Shqipërisë për profesionalizëm dhe e ftoi opozitën të votojnë rezolutën. “Kur u ul në postin e guvernatorit, Fullani e gjeti borxhin 62.5 % të prodhimit të brendshshëm bruto, në 2002. Banka lejoi qeverinë të ulë borxhin në 59 %” – tha Bode.
Deputetja socialiste Mimi Kodheli deklaron “Raporti analizon 2011 por nuk hedh dritë mbi vitin 2012. BSH është kujdesur të ruajën një gjuhë tejet të kujdeshme, sidomos lidhur me efektet e krizës globale, rezultatet e këtyre veprimeve është në dëm të pavarësisë së bankës dhe marrëdhënieve të saj me popullin. Nuk jep ecuritë e pritshme mbi të cilin banka ka hartuar programin monetar për vitin e ardhshëm"

BODE: LIGJI SIPAS STANDARDEVE
Ministri i Financave, Ridvan Bode tha se projektligji për pastrimin e parave është dinamik dhe i bazuar në raportet ndërkombëtare. "Ndryshimet në ligj, janë bazuar në raportet ndërkombëtare. Projekti është konsultuar me partnerët. Përmes këtyre ndryshimeve, mundësohet një investigim i transanksioneve të parave dhe kjo nënkupton përqëndrim tek disa qendra me risk të lartë siç është korrupsioni dhe lidhja me qeveritarët si dhe dhe ligjet me krimin e organizuar", deklaroi Bode në Kuvend. Sipas tij, ndryshimet në ligj, mundësojnë zgjerimin e mëtejshëm të investigimit të transaksioneve të parave në tregun financiar shqiptar dhe transaksioneve të pasurive në tregun e ekonomisë. "Ka një sesibilitet të shtuar ndërkombëtar lidhur me çështjen pastrimit të parave, dhe kjo ka qënë kushtëzuar nga tejzgjatja e plotësimit të një rekomandimi të kërkuar nga BE që kish të bënte me Kodin Penal. Ndryshimi i Kodit Penal, na lejoi ndryshimet në këtë ligj të pastrimit të parave", u shpreh Bode

MALAJ: SHQIPERIA IMAZH NEGATIV
Në diskutimin e tij, deputeti socialist, Arben Malaj theksoi se ligji i ri kërkon një parapërgatitje të mirë, që të ketë një implementim të suksesshëm, në mënyrë që të mos nxisë keqpërdorimin e strukturave të luftës kundër pastrimit të parasë në krijimin e një pushteti abuziv, për të goditur apo favorizuar në bazë interferencash biznesi apo politike.

"Në vend të sulmit ndaj opozitës qeveria duhet të hartojë legjislacion të qartë dhe të ngrejë institucione të forta në mënyrë që të parandalojë financime me para të pista" deklaroi Deputeti i PS Arben Malaj. Malaj tha se vendi nuk duhet të tolerojë futjen e parave të pista që sipas tij dëmtojnë biznesin dhe nxijmë imazhin e politikës.  “Shqipëria-tha Malaj-paraqitet si vend shqetësues në raportet ndërkombëtare lidhur me pastrimin e parave”. Malaj nënvizoi se burimet e parave të pista janë të shumta, por e përbashkëta është se origjina e tyre është kriminale. “Paratë e pista vijnë kryesisht nga droga dhe shitja e armëve” tha malaj, duke theksuar se drafti i paraqitur nga qeveria ka nevojë për ndryshime. Sipas tij legjislacioni duhet të jetë më i thjeshtë, ku të parashikojë ngritje institucionesh më të forta dhe të shmangë mbivendosjen e kompetencave mes institucioneve.

(ns/shqiptarja.com)