Parlamenti Europian ka vendosur të pezullojë marrëveshjen tregtare me Shtetet e Bashkuara, të nënshkruar gjatë verës në Skoci, në fazën e nxehtë të luftës tregtare mes BE-së dhe SHBA-ve, duke shtyrë dhënien e miratimit të tij. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Tregtinë Ndërkombëtare të Parlamentit Europian, Bernd Lange, në një konferencë për shtyp në Strasburg, duke zyrtarizuar vendimin e paralajmëruar nga presidenti i PPE-së, Manfred Weber, në marrëveshje me socialistët, të gjelbrit dhe liberalët. Bëhet fjalë për gjestin e parë të kundërpërgjigjes ndaj kërcënimeve të Trumpit për Groenlandën. Me kërcënimet e reja për tarifa doganore, “Donald Trump e ka thyer” paktin e nënshkruar në korrik në Skoci, theksoi Lange.
Kërcënimet e Trumpit
Presidenti amerikan gjatë fundjavës kishte njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të vendosin një tarifë doganore prej 10% mbi mallrat që vijnë nga tetë vendet që kanë dërguar ushtarë në Groenlandë, duke filluar nga 1 shkurti; kjo tarifë do të rritej në 25% në qershor, nëse nuk do të arrihej një marrëveshje me SHBA-të.
Ndalesa e Parlamentit Europian
Trump “po përdor tarifat doganore për të ushtruar presion politik mbi ne që të shesim Groenlandën. Për këtë arsye kemi qenë shumë të qartë: procedura do të mbetet e pezulluar derisa të ketë qartësi për Groenlandën dhe për këto kërcënime”, theksoi Weber, i cili bën pjesë në partinë socialdemokrate gjermane. Kërcënimi i Uashingtonit, shtoi ai, përfaqëson “një sulm të vërtetë ndaj sovranitetit ekonomik dhe sovranitetit territorial, si dhe ndaj integritetit të BE-së”.
Në cilësinë personale, Lange shtoi se i konsideron të nevojshme hapa të tjerë në përgjigje të kërcënimeve të Shtëpisë së Bardhë, si vendosja e tarifave doganore mbi listat e produkteve amerikane të ngrira pas marrëveshjes së korrikut, si edhe “zbatimin e instrumentit anti-detyrim”, të ashtuquajturin “bazuka e BE-së”, e krijuar “për t’iu përgjigjur një vendi të tretë kur ai përdor tarifa doganore ose investime si mjete presioni politik”.
Çfarë parashikon marrëveshja SHBA–BE
Marrëveshja parashikon një tarifë të përgjithshme prej 15% mbi mallrat e eksportuara drejt SHBA-ve, në këmbim të një sërë kushtesh, duke filluar nga një hapje më e madhe e tregut të BE-së ndaj produkteve agro-ushqimore amerikane. BE-ja ishte angazhuar gjithashtu të rrisë blerjet e naftës dhe GNL-së nga SHBA-të, si dhe investimet në Shtetet e Bashkuara. Një premtim jo detyrues, siç ka theksuar disa herë Komisioni.
Çfarë ndodh tani?
Parlamenti Europian duhej të miratonte qëndrimin e tij negociues deri në fund të muajit. Votimi në komision ishte planifikuar për 26–27 janar. Me këtë ndalesë, procesi është bllokuar. Vendimi i Europarlamentit në fakt pezullon pa afat ratifikimin e dy rregulloreve zbatuese për heqjen e tarifave mbi një sërë mallrash industriale amerikane dhe për lehtësimin e aksesit në tregun europian për disa produkte bujqësore./Corriere
Komente








