PE miraton liberalizimin e vizave për Kosovën, nesër nënshkrimi! Osmani: Të barabartë me popujt e tjerë evropianë! Kurti: Një hap pranë BE! Meta: Urime vëllezër e motra

Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës - me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim. Këtë vendim e përshëndetën eksponentë të poltikës së Kosovës por edhe të vendit tonë. Ata e cilësuan si një lajm i mirë që e përafron Kosovën pranë Bashkimit Evropian. 

"Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar", tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar. Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024. Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi. Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Akti ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet në nënshkruhet nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe ministrja për Evropën e Suedisë, Jessika Rosëall, vendi i së cilës kryeson aktualisht Këshillin e BE-së.

Në ceremoninë e nënshkrimit janë ftuar të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla. Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Ky regjim mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë - brenda gjashtë muajsh - në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen. Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen. Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva./REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:27
PE miratoi liberalizmin e vizave për Kosovën, Basha: Padrejtësia mori fund

1676654790_finalprojekt.00012208.Still023.jpg

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas miratimit të liberalizimit të vizave nga Parlamenti Europian. Basha shkruan se padrejtësia që iu bë me vite qytetarëve të Kosovës mori fund.

“Nga 1 janari 2024, shqiptarët e Kosovës do të lëvizin të lirë në Europë, qytetarët e Kosovës do të trajtohen me dinjitet si europianë. Parlamenti Europian e hoqi sot dhe pengesën e fundit. Padrejtësia që për vite të tëra i’u bë qytetarëve të Kosovës mori fund. Urime Kosovë! Urime qytetarëve të Kosovës për vendimin që u mundëson të lëvizin të lirë”, shkruan Basha.

Ora 14:17
PE miraton vendimin për liberalizimin e vizave, Kurti: Një hap më pranë Bashkimit Evropian

1679850516_finalprojekt.00035015.Still021.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit nga Parlamenti Evropian për miratimin e liberalizimit të vizave në Kosovës.

”Lajm i mirë për Kosovën sot! Parlamenti Evropian miratoi udhëtimin pa viza për qytetarët tanë duke filluar nga 1 janari 2024. Kjo na sjell një hap të rëndësishëm më pranë Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në pasurinë që ofron BE. Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen e tyre”, ka shkruar Kurti.

Ora 13:47
PE miraton liberalizmin e vizave për Kosovën, Haradinaj: Lajm i mrekullueshëm! Tani është momenti për anëtarësim në KiE

1681753061_grtg.JPG

Pas miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se vendi duhet të marrë sa më parë konfirmim për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe të bëhet pjesë e Partneritet për Paqe.

“Lajm i mrekullueshëm nga Parlamenti Europian, që sot heqi pengesën e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën! Falënderim i veçantë për eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi meritor dhe për gjithë ata që kontribuan që ky proces të përmbyllet me sukses. Tani është momenti që Kosova po ashtu ta marrë sa më shpejt konfirmimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe fillimin e Partneritetit për Paqe”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ora 13:45
PE i jep dritën jeshile Kosovës për liberalizmin e vizave, Meta: Urime për motrat dhe vëllezërit tanë

1681818131_Screenshot3.jpg

Kreu i PL-së, Ilir Meta ka uruar Kosovën për miratimin e dhënë nga PE për liberalizimin e vizave.

“Qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirisht si të gjithë fqinjët e tjerë. Urime për motrat dhe vëllezërit e Kosovës. Ky vendim i PE dëshmon për fuqizimin e shtetit të tyre dhe hap një dritare tjetër në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”- tha Meta.

Ora 13:16
Liberalizimi i vizave, Osmani: Më në fund të barabartë me popujt e tjerë evropianë

1679492083_vjosaosmani.JPG

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani reagoi sot pas miratimit të liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian.

 “Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme. Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”, shkruan Osmani.

Ora 12:21
PE miraton vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën

1681813527_bashkimievropian.jpg

Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës - me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

"Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar", tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • e drejta: 18/04/2023 12:26

    URIME KOSOVES DHE KOSOVAREVE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg