Parlamenti grek ratifikoi sot marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë, pas marrëveshjes së firmosur që në 11 maj 2018.

Kjo do të thotë se me një patentë shqiptare mund të udhëtohet lehtësisht në Greqi, pa dashur të marrësh patentë ndërkombëtare, dhe anasjelltas edhe për grekët që vijnë në Shqipëri. Kjo vlen për të gjithë ata shqiptarë që udhëtojnë përkohësisht drejt Greqisë për arsye familjare, pune apo pushime.

Me këtë marrëveshje, e cila mori fuqi zbatimi sot në parlamentin grek, shqiptarët kursejnë rreth 700 euro dhe nuk ka më nevojë që të kryejnë nga e para procedurat për t’u pajisur me leje drejtimi.

Kjo marrëveshje pason marrëveshjen për përdorimin e toponimeve në dokumentet e udhëtimit, heqjen e rezervës për përdorimin e vulës apostile për dokumentet, si dhe regjistrimin pranë zyrave konsullore të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi nga një ose dy prindërit që nuk kanë leje qëndrimi të rregullt.

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një reagim në Facebook shpjegoi se kjo marrëveshje lehtëson kursen kohën e tyre nga procedurat e zgjatura dhe paratë e shumta për pajisjen me leje drejtimi.

“Ratifikimi i kësaj marrëveshje është në frymën e përpjekjeve të diplomacisë shqiptare për të ndërlidhur objektivat madhorë të politikës së jashtme me çështjet ditore të shqiptarëve.” - theksoi në mbyllje të postimit të tij Cakaj.

Në një status në Facebook, edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili ishte edhe nismëtari i kësaj marrëveshje përmes dialogut të zhvilluar me Greqinë, përshëndeti nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

"Greqia, përveçse një partner me rëndësi strategjike, anëtarë e NATO-s dhe BE-së, është fqinj me të cilin ndajmë përditshmërinë dhe fatet e përbashkëta për shkak të dinamikës së shkëmbimeve në të gjitha nivelet e lidhjet njerëzore. Është kjo arsyeja që me Greqinë duhet të vijojmë angazhimin e nisur të një politike të hapave të vegjël por të sigurtë. Të një politike që parashtron çështjet dhe skicon rrugëzgjidhje për qyetarët në interes të dy vendeve tona", tha Bushati.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:24
Ja sa lekë kursejnë shqiptarët nga njohja e patentave që bëri Greqia


Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor thekson se njohja e patentave shqiptare nga Greqia u kursen qytetarëve shqiptarë 700 euro. "Për të gjithë bashkëkombasit tanë në Greqi por jo vetëm, një lajm i mirë nga Greqia! Parlamenti grek sapo ratifikoi marrëveshjen për njohjen e ndërsjelltë të lejedrejtimeve mes Shqipërisë e Greqisë! Marrëveshja lehtëson jetën e qytetarëve, shmang sorollatjen nëpër zyra, harxhimin e kohës dhe parave! Rreth 700 euro kursejnë shqiptarët në Greqi, të cilët nuk do të kenë nevojë që të kryejnë nga e para procedurat për t’u pajisur me leje drejtimi, por mund të kryejnë konvertimin.

Gjithashtu, të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë përkohësisht drejt Greqisë për arsye familjare, pune apo pushime nuk do të kenë më nevojë të pajisen me lejedrejtimi ndërkombëtare! Rritja e standardeve dhe e sigurisë së Lejedrejtimit shqiptar, si proces kualifikimi dhe si cilësi prodhimi është një tjetër faktor që ndihmon në procesin e njohjeve nga shumë vendet anëtare të BE-së! Pas Greqisë vijon puna për njohjen së shpejti edhe nga Gjermania" shkruan DPSHTRR.