Parlamenti i ri/ Dekriminalizimi
fshihet njolla e Fatmir Mediut

Parlamenti i ri/ Dekriminalizimi<br />fshihet njolla e Fatmir Mediut
Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, i zgjedhur deputet nën siglën e Partisë Demokratike, rezulton se ka qenë një herë nën hetim nga autoritetet e huaja për një ngjarje të vitit 1998, kur ai u hetua për pengim të forcave të policisë në kryerjen e detyrës në Milano të Italisë. Por, faqja e formularit të dekriminalizimit, ku Mediu duhet të pasqyronte këtë njollë, nuk ekziston në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në formularin e pasqyruar nga KQZ, rezultojnë të gjitha faqet e tjera ku Mediu rezulton i pastër, por vetëm faqja 4 e formularit, ku deputeti duhet t’i përgjigjet pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë në hetim ose në gjykim nga një autoritet u huaj, për kryerjen e një vepre penale, është hequr. Nëse deputeti Mediu e ka dorëzuar formularin të paplotë në KQZ, për të fshehur hetimin në Itali, kjo do të përbënte vepër penale dhe për rrjedhojë mund të çonte në heqjen e mandatit. Mbetet për t’u sqaruar nga KQZ nëse formulari i deputetit është dorëzuar i paplotë apo ndërhyrja është bërë nga administrata e KQZ.

Pasojat penale 
Zyrtarët janë paralajmëruar dhe janë të vetëdijshëm mbi pasojat penale të deklarimit të të dhënave të rreme në formularin e vetëdeklarimit. “Nëse keni ndryshuar zyrtarisht ndonjë nga të dhënat e gjeneralitetit tuaj apo keni përdorur gjeneralitet tjetër, qoftë edhe të pandryshuar zyrtarisht, listoni secilin prej tyre, duke plotësuar të gjitha të dhënat që janë ndryshuar dhe aq herë sa janë ndryshuar.

Mosdeklarimi i ndonjë gjeneraliteti sipas kësaj pike, që mundtë pengojnë verifikimin sipas dispozitave të ligjit nr. 138/2015, përbën vepër penale sipas nenit 190 të Kodit Penal”, thuhet në formularin e vetëdeklarimit, duke reflektuar frymën e ligjit. Ndërkaq, të dhënat e pasqyruara në të i nënshtrohen një verifikimi të plotë dhe të gjithanshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë, nga organet shtetërore dhe Prokuroria e Përgjithshme dhe se pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në të passjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik.

Aqif Rakipi
Prindërit e deputetit të PDIU së Qarkut të Elbasanit, Aqif Rakipi, rezultojnë se kanë ndryshuar gjeneralitetet. Emri i parë i babait të deputetit Rakipi rezulton Karaman, ndërsa aktualisht Kahraman. Po ashtu, referuar formularit të dekriminalizimit të dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, emri i parë i nënës së deputetit Rakipi rezulton Violeta, ndërsa aktualisht Nurije.

Dy ditë më parë, Partia Demokratike grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi në prokurori një kërkesë për kontrollin e të dhënave të dekriminalizimit për deputetin Aqif Rakipi, lidhur me dyshime për fshehjen e të dhënave për aktivitet kriminal, që sipas ligjit për dekriminalizimin duhej ta pengonte për të marrë poste publike apo për t’u zgjedhur. Nga ana tjetër, deputeti ka hedhur poshtë dyshimet e PD, teksa e ka konsideruar kërkesën një sulm politik. PD ka kërkuar verifikimin e të dhënave edhe për deputetin Gjetan Gjetani, duke shprehur të njëjtat dyshime. Në formularin e dekriminalizimit, deputeti Gjetani nuk rezulton as me gjeneralitete të ndryshuar dhe as me ndonjë problem me drejtësinë në të shkuarën.
 
Njolla e Mediut
Faqja e formularit të dekriminalizimit, ku Fatmir Mediu duhet të pasqyronte hetimin nga autoritetet italiane, nuk ekziston në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
 
Pasojat
Nëse deputeti Mediu e ka dorëzuar formularin të paplotë në KQZ, për të fshehur hetimin në Itali, kjo do të përbënte vepër penale dhe për rrjedhojë mund të çonte në heqjen e mandatit.

Neni 190 i Kodit Penal
 
Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milion lekë.
 
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në dy milionë lekë.
 
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në tre milionë lekë.
 
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Firmoset marrëveshja me Fondin e Katarit, për sheshin fundor te 'Bulevardi i Ri', Veliaj: Pajë që do t’i mbetet Tiranës! Fokus te puna, që të lëmë gjurmë, jo te zhurma

Firmoset marrëveshja me Fondin e Katarit, për sheshin fundor te 'Bulevardi i Ri', Veliaj: Pajë që do t’i mbetet Tiranës! Fokus te puna, që të lëmë gjurmë, jo te zhurma