Parlamenti nuk e voton mocionin për privatizimin e distribucionit të KEK

Parlamenti nuk e voton mocionin për privatizimin e distribucionit të KEK
Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për distribucionin e KEK-ut. Me 31 vota për 48 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi ka votuar kundër mocionit, i cili kërkonte pezullimin e procesit të privatizimit të distribucionit, derisa qeveria të sjellë dokumentet në Kuvend. 

Kjo pikë e rendit të ditës ka nxitur debat të nxehtë mes pozitës dhe opozitës gjatë interpelancës. Vetëvendosje që e kishte thirrur këtë interpelancë duke thënë argumentet e saj, kërkoi ndaljen e këtij procesi duke e quajtur të dëmshëm.
 Pos Vetëvendosjes, kundër privatizimit u shprehen edhe Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. 
LDK-ja ka përgatitur një mocion tjetër nga ai i Vetëvendosjes derisa AAK-ja tha se do abstenojë nga të dyja mocionet por u shpreh kundër privatizimit. Partitë opozitare kërkuan që procesi të jetë transparent dhe të dihet pse dhe si po privatizohet ky aset shumë i rëndësishëm për Kosovën.
 Por vendimin e mbrojti Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, i cili tha se gjithçka ka qenë transparente dhe e mbështetur në bazë ligjore.

Kryetari i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, deputeti Visari Ymeri kërkoi ndërprerjen e privatizimit, duke thënë se distribucioni është pasuri e Kosovës. 

Ndërkaq, ministri Besim Beqaj ka thënë se transaksioni është bërë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Kuvendit.
Ndërkohë, ai ka shtuar se asetet 110-kilovoltëshe nuk do të privatizohen. Sipas tij, ato janë ruajtur si aset kombëtar, ndërsa KEK-u do t`i mbledhë borxhet e vjetra. Në rast se ndërmarrja dështon, Qeveria do të ndërhyjë dhe do ta kthejë në menaxhim, ka thënë Beqaj. 
Kuvendi ishte me debat të nxehtë ndërmejt kryeministrit dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

"KEK-u është kontribut i madh i brezave të shumtë. Vitin e ardhshëm mbushen 50 vjet prej se është bërë elektrifikimi në Kosovë. Ka njerëz që tërë jetën kanë punuar në KEK dhe tash janë në pension. E gjithë djersa e tyre po shitet shpejt e shpejt dhe shumë lirë. Qindra mijëra njerëz në forma të ndryshme e kanë ndërtuar KEK-un. Miliona njerëz do të varen prej tij në të ardhmen. As ata që kontribuan si punëtorë, as ata që varen prej tij si konsumatorë, nuk u pyetën për këtë vendim makabër të kryeministrit Thaçi dhe ministrit të tij Beqaj." tha Albin Kurti. 


Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka quajtur hajn tipik kryeministrin Hashim Thaçi dhe duke e akuzuar se deri sa flitet për tema serioze ai zgëdhihet dhe qeshet. Kryeministri Thaçi replikonte duke përmendur fitoret e PDK në dy komunat në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ndërkohë, Federata e Sindikatave të Pavarura – Elektrokosova, ka kundërshtuar privatizimin e distribucionit. Përfaqësues të saj kërkuan nga deputetët të jenë më vigjilentë dhe të vetëdijshëm mbi pasojat që do t`i kishte privatizimi i distribucionit.
/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin