Policia belge bastisi sot zyrat e Komisionit Europian në Bruksel në vazhdën e një hetimi që lidhet me dyshime për parregullsi në një shitje pronash me vlerë 900 milionë euro.

Kontrollet u zhvilluan të enjten në mëngjes në disa ambiente të Komisionit, përfshirë edhe departamentin e buxhetit.

Sipas Financial Times, hetimi ka në fokus shitjen e 23 pronave të Bashkimit Europian gjatë vitit 2024. Këto ndërtesa u blenë nga fondi sovran belg SFPIM për 900 milionë euro.

Shitja ishte realizuar gjatë mandatit të mëparshëm të Komisionit, kur komisioner për buxhetin ishte Johannes Hahn. Ai drejtoi buxhetin e BE-së deri në vitin 2024 dhe më pas u emërua i dërguar special i BE-së për Qipron.

Komisioni Europian deklaroi se procesi i shitjes kishte ndjekur procedurat dhe rregullat financiare të Bashkimit Europian dhe se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet hetimore belge.

OLAF, zyra kundër mashtrimit e BE-së, nuk pranoi të komentojë. As policia federale belge nuk dha detaje shtesë.

Fondi SFPIM dhe Johannes Hahn nuk reaguan menjëherë ndaj kërkesave për koment.

Sipas të dhënave zyrtare të kohës, shitja e 23 ndërtesave në vitin 2024 ishte realizuar përmes një tenderi dhe në përputhje me rregullat financiare të BE-së. Hetimi aktual synon të verifikojë nëse gjatë këtij procesi ka pasur parregullsi.