Rreth 1.1 miliard euro janë shpenzuar për rrugë që sot janë të dëmtuara, jashtë funksionit ose me probleme serioze. Kjo ishte akuza që bëri zv.presidentja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, duke folur për krizën e shembjes së rrugëve dhe atë që e cilëson si shpërdorim masiv të fondeve publike.
Ajo renditi disa nga projektet me kostot më të larta: Korçë–Ersekë 88 milionë euro, Maliq–Lozhanë 14 milionë euro, Qukës–Qafë Plloçë 316 milionë euro, Elbasan–Qafë Thanë 100 milionë euro, Rruga e Arbrit 400 milionë euro dhe Tuneli i Llogarasë 180 milionë euro. Sipas saj, këto shifra tregojnë qartë përmasa abuzimi.
Xhixho tha se shembja dhe dëmtimi i akseve nuk janë pasojë e motit, por e korrupsionit, fryrjes së kostove dhe mungesës së kontrollit mbi punimet publike. Sipas saj, qytetarët po paguajnë për një model qeverisjeje që ndërton për përfitim dhe jo për shërbim.
Ajo foli edhe për zhvillimet politike, duke thënë se maxhoranca në Këshillin e Mandateve rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres në çështjen “Balluku”, duke penguar marrjen e saj si e pandehur.
Xhixho apeloi që njerëzit t'i bashkohen protestës së 28 shkurtit, duke kërkuar llogari për situatën e rrugëve dhe për atë që e quan kapje të shtetit nga korrupsioni.
Deklarata e Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho.
Të nderuar qytetarë,
Jam sot para jush për të dënuar me forcë mungesën e përgjegjësisë për rrugët që po shemben njëra pas tjetrës, duke i lënë qytetarët të bllokuar, të braktisur dhe pa asnjë zgjidhje nga një qeveri që ka humbur çdo lidhje me realitetin e përditshëm të shqiptarëve.
Mijëra qytetarë janë lënë në mëshirë të fatit në rrugë të bllokuara: fëmijë, të moshuar, të sëmurë që nuk arrijnë dot në spitale, familje që nuk arrijnë në shtëpitë e tyre dhe biznese që po humbasin çdo ditë nga një situatë që NUK është fatkeqësi natyrore, por pasojë direkte e korrupsionit, investimeve të fryra dhe mungesës totale të kontrollit mbi punimet publike. Kjo është tabloja e një shteti që merr miliarda nga taksat e qytetarëve, por nuk u garanton dot as një rrugë me standarde as sa Kosova, që ka gjysmën e buxhetit, e jo më si ato të vendeve europiane.
Kryeministri Rama që dikur fliste për “rrugë të lëna rrugëve” sot është realitet si pasohë e ekorrupsionit qeveritar.
Le t’i kujtojmë këto shifra që tregojnë qartë dimensionin e këtij abuzimi:* Korçë–Ersekë (2024): 88 milion euro
* Maliq–Lozhanë (2026): 14 milion euro vetëm ndërtimi
* Qukës–Qafë Plloçë: 316 milion euro
* Elbasan–Qafë Thanë: 100 milion euro
* Rruga e Arbrit: 400 milion euro (tuneli fut ujë)
* Tuneli i Llogarasë: 180 milion euro (tuneli fut ujë)
Pra, gati 1.1 miliard euro janë marrë nga taksapaguesit shqiptarë për rrugë që sot janë shembur, dëmtuar apo janë jashtë funksionit. Këto shembje nuk janë rezultat i motit të keq, siç përpiqet propaganda qeveritare të justifikohet. Ato janë rezultat i një sistemi ku fryhen kostot e projekteve për të vjedhur, ku kontrolli mungon dhe ku cilësia sakrifikohet për interesat e një grushti njerëzish pranë pushtetit.
Aksi Librazhd–Prrenjas është sot prova më e qartë e kësaj skeme: një investim i paraqitur si zhvillim, por që në realitet është kthyer në simbol të shpërdorimit të fondeve publike dhe një masakër mjedisore me dëmtim të rëndë të shtratit të Lumit Shkumbin. Kjo nuk është vetëm papërgjegjshmëri, por është një model qeverisjeje që ndërton për të përfituar, jo për t’i shërbyer qytetarëve.Qytetarët shqiptarë nuk mund dhe nuk duhet të paguajnë për korrupsionin dhe paaftësinë qeveritare. Për rrugët e lëna rrugëve duhet të ketë përgjegjësi politike dhe penale.
Ndërkohë dje në Këshillin e Mandateve maxhoranca rrëzoi kërkesën e prokurorisë speciale për imuitetin e zv. Kryeministritres, duke penguar marrjen e saj si të pandehur.
Është e qartë ajo që kemi përmendur vazhdimisht: dëshmitarët e çështjes Balluku po intimidohen.
Faktet e paraqitura nga prokurorët janë tronditëse dhe shumë të rënda. Sipas këtyre fakteve, janë përdorur kërcënime ndaj dëshmitarëve përmes njerëzve të lidhur me krimin dhe është tentuar të blihet heshtja e tyre me para publike. Kjo nuk është thjesht shkelje ligji – kjo është goditje direkte ndaj drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.
Parlamenti i Shqipërisë tashmë është shndërruar në një mburojë politike për të mbrojtur qeveritaret e përfshirë në afera korruptive.
Ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale të propozuara nga kryeministri synojnë të bunkerizojnë juridikisht Kryeministrin dhe qeverinë për të penguar drejtësinë në hetimet penale.
Ndërkohë për qytetarët e zakonshëm shteti është represiv– pasi ky Parlament sapo miratoi burgosjen e qytetarëve për parkim dysh, burg për qytetarët që nuk paguajnë dot energjinë elektrike apo burg per ata qe guxojnë të bëjnë ndonjë punim e shtëpitë e tyre.
Ky është një mesazh i qartë:nuk ka barazi para ligjit, pasi ndryshe trajtohet qytetari, ndryshe trajtohet zyrtari i korruptuar.
Një qeveri e korruptuar dhe e bërë njësh me krimin është rreziku më i madh për integrimin europian të Shqipërisë. Kreu i Komisionit për Çështjet e Jashtme në PE, David McAllister, e bëri të qartë këtë kur deklaroi se çështja Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit.
Dosja Balluku dhe skandali i AKSHI-t jane prova e radhës se korrupsioni shkon deri në majë. Është e qartë që askush nuk ka ngrënë dardha pas kurrizit të kryeministrit, por është vetë ai urdhëruesi i këtyre skemave. Edi Rama po mbron veten e tij dhe këtë po përpiqet ta bëjë me ligj. Por asgjë nuk e mbron atë nga drejtësia popullore.
Ndaj më 28 shkurt do të jemi sërish përballë kësaj organizate kriminale për të kërkuar llogari për çdo euro të vjedhur dhe për çdo padrejtësi që u është bërë qytetarëve shqiptarë.
Shqipëria nuk mund të vazhdojë të qeveriset si pronë private e një pakice në pushtet. Shqipëria meriton drejtësi, transparencë dhe një qeveri që u shërben qytetarëve" tha ajo
Komente








