Partia e Lirisë do të bëjë 10 amendamente në ligjin për Buxhetin që ka paraqitur në Kuvend Qeveria. Lajmi e ka dhënë sot kryetari i kësaj force politike, Ilir Meta, në një takim me Komitetin Kombëtar Drejtues të Rinisë.

“Aktualisht situata ekonomike në vend është drejt përkeqësimit, dhe kësaj do t’i shërbejë edhe Buxheti dhe Paketa Fiskale që ka paraqitur Qeveria. Këto 2 ligje përfaqësojnë zymtësinë e ekonomisë në vend. Është e qartë se rritja ekonomike është ngadalësuar, PBB është në rënie. Treguesit e shitjeve janë në rënie, treguesit e konsumit janë në rënie, çmimet e konsumit janë në rritje. Kosto e prodhimit është në rritje, borxhi publik është në rritje, llogaritet në 119 mld euro. Normat e interesit bazë kanë shkuar 2.75% duke shtuar koston e huamarrjes për familjet, sipërmarrjet dhe vetë qeverinë. Në këtë situatë të gjitha përpjekjet e qeverisë për të reduktuar deficitin, janë në dëm të të gjithë qytetarëve, familjeve, bizneseve, sidomos të prodhimit vendas dhe janë vetëm në interes të klientëve të qeverisë, duke rënduar produktivitetin e borxhit dhe duke goditur prodhimin vendas", tha Meta.

“Të hiqet 10 fishimi i gjobave ndaj biznesit, antikushtetuese dhe jo proporcionale. Të anulohet rritja e akcizës për prodhuesit vendorë të birrës, rrezikon mijëra vende pune. Të anulohet taksa speciale për prodhuesit e energjisë elektrike, nuk nxit rritjen e investimeve në sektor. Kërkojmë shtyrjen e taksimit për profesionet e lirë deri në kalimin e krizës”, prezantoi Meta disa prej amendamenteve.

Ndërkohë që kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi, ka prezantuar 5 amendamentet që lidhen me arsimin dhe të rinjtë.

“Amendimi i parë i Partisë së Lirisë në projekt buxhetin 2023 do të jetë dhënia e studentëve shqiptarë nga 100 euro në muaj për të përballuar rritjen e ccmimeve. Kaq e kanë edhe studentët në Kosovë. 2. Mbështetje për kërkimin shkencor, të shkojë të paktën 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Brutor siç e kanë kërkuar pedagogët. 3. Do të kërkohet plotësimi i kërkesës së pedagogëve për rritje të pagës me 50% në dy vite. 4. Rritja e pagave të mësuesve duke filluar nga 1 janari, për të përballuar rritjen e çmimeve. 5. Libra falas të rinj për çdo fëmijë nga klasa e parë në klasën e nëntë”, prezantoi kryetarja e LRI amendimet që lidhen me të rinjtë dhe arsimin.  

631 miliardë lekë parashikohet të jetë buxheti për vitin 2023, ku shpenzimet më të mëdha do të jenë në sektorin energjetik, ku parashikohet fondi prej 12 miliardë lekësh. Disa nga zërat e parashikuar në projektbuxhet, lidhen edhe me zgjedhjet vendore, ndërtimin e 4 shkollave, akseve rrugore dhe aeroportit të Sarandës. Projektbuxheti 2023 është miratuar në mbledhjen e Qeverisë më datë 10 tetor. Në prezantimin që i bëri vendimit ministrja e Financave dhe e Ekonomisë Delina Ibrahimaj, e cila u shpreh se ky buxhet do të vijojë që të mbështesë energjinë elektrike, me qëllim mosrritjen e çmimit për konsumtorët dhe bizneset. Sipas Ibrahimajt, gjithashtu do të të vijohet që të mbështeten kategoritë e shtresave në nevojë.