Partia e Lirisë ka denoncuar sot atë që cilëson si ‘propaganda boshe’ e kryeministrit në lidhje me pensionet dhe bonuset e premtuara prej tij.

Në një komunikatë për mediat, Erisa Xhixho kritikoi faktin që sipas saj, 700 mijë pensionistë shqiptarë marrin pensionet më qesharake në rajon.

Duke iu referuar shifrave të Eurostat, Xhixho tha se propaganda e qeverisë vazhdon edhe tek paga mesatare që arrin në 860 euro duke u vlerësuar si më e ulëta në rajon. Në reagimin e saj, Xhixho e cilësoi mazhorancën një model qeverisës që punon për një grusht të privilegjuarish, jo për shumicën.

Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos

Kryeministri vazhdon të mashtrojë pensionistët, duke u shitur si “rritje pensionesh” atë që në të vërtetë është thjesht propagandë boshe. E vërteta është ndryshe: rreth 700 mijë pensionistë shqiptarë marrin sot pensionet më qesharake në rajon. “Bonusi” për të cilin flet Rama është tallja e radhës, në një kohë kur çmimet e ushqimeve janë rritur me 50%. Kjo shtesë nuk mbulon as minimumin e kostos së jetesës – ajo shërben vetëm për propagandë. Ndërkohë, propaganda vazhdon edhe me pagat. Por ja e vërteta sipas EUROSTAT:

 Shqipëria ka pagën mesatare vetëm 860 euro
 Serbia – 1290 euro (+430 euro)
 Bosnjë-Hercegovina – 1245 euro (+345 euro)
Mali i Zi – 1206 euro (+346 euro)
 Maqedonia e Veriut – 1100 euro (+240 euro)

Shqipëria ka pagat më të ulëta në rajon. Ndërsa çmimi i naftës rritet dhe godet çdo produkt e shërbim, vendet e rajonit ndërhyjnë për të mbrojtur qytetarët. Në Shqipëri ndodh e kundërta: qeveria zgjedh të përfitojë nga kriza. Rëndon qytetarët me taksa, mbush arkën e shtetit dhe më pas këto para përfundojnë në duart e klientëve të qeverisë përmes tenderave dhe koncesioneve. Kjo është arsyeja pse Shqipëria po bëhet çdo ditë e më e pajetueshme. Dhe kjo nuk është rastësi. Është një zgjedhje e qëllimshme politike – një model qeverisës që punon për një grusht të privilegjuarish, jo për shumicën.