Partia e Lirisë ka depozituar në Kuvend një projektligj që synon uljen e çmimit të karburanteve, duke kërkuar pezullimin e dy taksave kryesore deri në mars të vitit 2028.

Projektligji është depozituar nga deputetët Tedi Blushi, Edmond Haxhinasto, Erisa Xhixho dhe Brunilda Haxhiu.

Nisma parashikon pezullimin e “Taksës së Qarkullimit” dhe “Taksës së Karbonit” për benzinën, gazoilin dhe karburantet që përmbajnë biokarburante. Sipas deputetëve propozues, kjo masë synon të zbusë rritjen e çmimeve dhe të lehtësojë kostot për qytetarët dhe bizneset.

Sipas relacionit shoqërues, rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme mund të sjellë një tjetër valë rritjeje të çmimeve të karburanteve, e ngjashme me situatën e vitit 2022 pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Në dokument thuhet se çmimi i naftës në Shqipëri është ndër më të lartët në rajon ndërsa një litër naftë në vendin tonë kushton rreth 1.83 euro, ndërsa në Kosovë rreth 1.18 euro dhe në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi rreth 1.27 euro.

Sipas deputetëve të PL-së, mbi 60% e çmimit të karburantit përbëhet nga taksa, akciza dhe TVSH, çka ndikon drejtpërdrejt edhe në rritjen e çmimeve të ushqimeve, transportit dhe shërbimeve.

Në relacion ata përmendin edhe të dhënat e Eurostat për vitin 2025, sipas të cilave rreth 55% e qytetarëve në Shqipëri mezi mbyllin muajin.