Shpopullimi i vendit nuk është një proces natyror dhe as një vendim i lirë i qytetarëve, por pasojë direkte e keqqeverisjes dhe e dështimit të shtetit për t’u ofruar njerëzve siguri dhe dinjitet. Kështu deklaroi të dielën Katerina Bano, koordinatore e LRI në Partia e Lirisë.
Në një deklaratë për shtyp, Bano tha qindra mijëra shqiptarë janë larguar nga vendi jo sepse nuk shohin më të ardhme në Shqipëri.
Papunësia, pagat e ulëta, rritja e kostos së jetesës, korrupsioni dhe mungesa e meritokracisë janë, sipas Banos, arsyet kryesore që po i shtyjnë njerëzit drejt emigrimit.
Bano tha se shpopullimi po godet çdo sektor të jetës, duke zbrazur fshatra dhe qytete, duke mbyllur shkolla dhe duke dëmtuar bujqësinë dhe ekonominë. Ajo theksoi se vendi po humbet të rinjtë, profesionistët, mjekët, infermierët, mësuesit dhe fuqinë punëtore më vitale.
Në fokus të deklaratës së saj ishte edhe situata e studentëve, të cilët sipas saj, përballen me arsim të nënfinancuar, tarifa të larta dhe një treg pune që nuk vlerëson dijen.
Deklarata e plotë e Katerina Banos, koordinatore e LRI në Partia e Lirisë.
"Shpopullimi i Shqipërisë sot nuk është një fenomen natyror dhe as një zgjedhje e lirë e qytetarëve. Ai është pasojë direkte e keqqeverisjes, e mungesës së shpresës dhe e një shteti që ka dështuar t’u ofrojë qytetarëve të tij siguri ekonomike, drejtësi dhe dinjitet. Në këto vite, qindra mijëra shqiptarë janë detyruar të largohen nga vendi, jo sepse nuk e duan Shqipërinë, por sepse nuk shohin më të ardhme këtu. Arsyet janë të qarta: papunësia, pagat e ulëta, rritja e kostos së jetesës, korrupsioni i përhapur, mungesa e meritokracisë dhe kapja e shtetit nga një pakicë që qeveris vetëm për interesat e saj. Shpopullimi po godet çdo fushë të jetës. Po zbraz fshatrat dhe qytetet, po mbyll shkolla, po shkatërron bujqësinë, po varfëron ekonominë dhe po e plak shoqërinë shqiptare. Po humbasim të rinjtë, profesionistët, mjekët, infermierët, mësuesit dhe fuqinë punëtore më vitale të vendit. Studentët shqiptarë sot po përballen me mungesë perspektive, arsim të nënfinancuar, tarifa të larta dhe treg pune që nuk vlerëson dijen. Shumë prej tyre shohin largimin nga vendi si të vetmen mundësi për një të ardhme më të sigurt. Kur një shtet i detyron studentët të ikin sapo diplomohen, ai po humbet trurin, energjinë dhe shpresën e brezit të ri.Pasojat janë afatgjata dhe të rënda: më pak kontribuues në ekonomi, më shumë barrë sociale, rënie e prodhimit, dobësim i familjes dhe rrezik real për zhvillimin dhe sigurinë kombëtare. Partia e Lirisë e konsideron shpopullimin si emergjencë kombëtare. Ne besojmë se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor të modelit të qeverisjes, për politika që vendosin qytetarin në qendër, që mbështesin të rinjtë, familjet, biznesin e ndershëm dhe që rikthejnë besimin tek e ardhmja në këtë vend. Shqipëria nuk mund të qeveriset duke i larguar njerëzit. Ajo mund të ndërtohet vetëm duke u dhënë shqiptarëve arsye për të qëndruar, për të punuar dhe për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre"
Komente







