TIRANË (REUTERS) – Agjencia e lajmeve Reuters ka publikuar sot lajmin për krijimin e partisë së re, të quajtur Fryma e Re Demokratike.
“Aleatët e Presidentit Bamir Topi, lajmëruan krijimin e një partie të re, duke kërcënuar se do shkundin skenën e polarizuar politike në vendin ballkanik dhe se do sfidojnë kryeministrin Sali Berisha”, citohet në artikullin e sotëm të korrespondentit të Reuters në Shqipëri, Benet Koleka.

Mandati 5- vjeçar i Topit si president përfundon në korrik dhe ai pritet të marrë drejtimin e partisë së re të qendrës së djathtë, Fryma e Re Demokratike, kur anëtarët të zgjedhin drejtuesit në shtator.
Që prej rënies së komunizmit dy dekada më parë, politika në Shqipëri është dominuar nga Partia Demokratike e Berishës dhe Partia Socialiste, aktualisht në opozitë.

Topi, një demokrat përpara se të hiqte dorë nga lidhjet me partinë për të shërbyer si president, është përplasur me Berishën, duke e akuzuar qeverinë e tij se ka dështuar në luftën ndaj korrupsionit dhe forcimin e ligjit dhe rendit në Shqipëri.
Bashkimi Europian po mban pezull statusin e kandidatit për vendin me 2.8 milion banorë dhe një nga më të varfrit në Europë, për shkak të mungesës së progresit.
“Profili ideologjik i FRD do të jetë i qendrës së djathtë dhe ne do qëndrojmë për idealet liberale,” tha ish- zëvendëskryeministri Gazmend Oketa, një ligjvënës që është larguar nga Partia Demokratike në pushtet për të krijuar partinë e re.
“Ne do përfaqësojmë interesat e klasës së mesme. Kjo klasë është rritur me mundime të mëdha, por nuk është përfaqësuar me dinjitet nga ndonjë parti”.
Ai tha se partia e re do të punojë për të ndihmuar ish- të përndjekurit politikë dhe qytetarët, të cilëve iu është marrë prona nga komunistët, dy çështje për të cilat ka bërë avokati 55 vjeçari Topi.

Salla e konferencave ku u bë shpallja e partisë së re, përballë me godinën e parlamentit, ishte aq e mbushur, sa përkrahësit dolën në rrugë dhe dëgjuan me altoparlantë që ishin vendosur aty.

“Një ish- aleat i Berishës, Topi u zgjodh president me votat e demokratëve dhe gjashtë deputetëve që kaluan krah për ta mbështetur atë.
Ai nuk e ka konfirmuar dhe as e ka mohuar që do marrë drejtimin e partisë së re, duke thënë vetëm se do kthehet në politikë pasi mandati i tij të përfundojë për të “kontribuar për standarde më të larta në demokracinë shqiptare”, përfundon artikulli i Reuters.

(Në foto: Presidenti Topi me homologun kroat, nga ARBEN ÇELI)

(aq/REUTERS/shqiptarja.com)