Dosja Partizani/ Skema e korrupsionit sipas SPAK: Ish-kryeministri ruante imazhin, dhëndri ‘mbushte llogarinë’! Arka me miliona të fituara ishte e përbashkët

Pagesa dhjetëra milionëshe në drejtim të fondacionit të Liri Berishës, një pagesë 20 mijë euro drejt avokatit të tij në Francë për ta mbrojtur në luftën kundër SHBA për ‘non grata-n’, pagesa në shuma të mëdha për shërbime shëndetësore si dhe një pagesë e bërë nga kompania Homeplan për sjelljen e një grupi muzikor nga jashtë për fushatën elektorale të PD-së në vitin 2013 janë vetëm disa nga episodet e korrupsionit që SPAK i ka vënë përballë ish Kryeministrit dhe dhëndrit të tij në dosjen 500 faqëshe për aferën ‘Partizani.

Vetëm në drejtim të fondacionit të Liri Berishës Jamarbër dhe Argita Malltezi kanë derdhur në vitet 2010-2022, 8.6 mln lekë të reja, 24 mijë euro dhe 8200 dollarë. Ndërsa kompanitë e përfshira në aferën korruptive Homeplan në vitin 2016 ka derdhur 18.500 euro dhe në vitin 2022 firma Kontakt 30 mijë euro.

SPAK thotë se të gjitha pagesat janë bërë nga çifti Jamarbër dhe Argita Malltezi, të cilët SPAK i koncepton se ‘llogaria bankare’ e Berishës, i cili kujdesej që të ruante imazhin si i ndërshëm, ndërkohë që paratë i mbante e bija me dhëndrin.

“Me qëllim ruajtjen e imazhit te nje politikani qe nuk është pasuruar asnjëherë, shtetasi Sali Berisha, nuk do te rriste formalisht pasurinë e tij, dhe ky përfitim do et kalonte tek shtetasi Jamarber Maltezi, i martuar dhe si me sipërcituar, ne bashkësi ligjore, me shtetasen Argita Maltezi, vajzën e shtetasit Sali Berisha. Siç dhe  rezulton nga hetimi, aksesi ne pasuritë e shtetasve Maltezi, është i përhershëm nga familja Berisha dhe jo thjesht shfrytëzimi i pasurive të tyre për akomodim por edhe përdorimi i shumave monetare, në vlera që, pasur parasysh nivelin ekonomik et një politikani shqiptar, mbështetur vetëm në pagën e tij, nuk justifikohen”, thuhet në dosje. 

Në 500 faqet e dorëzuara nga SPAK për Jamarber Malltezin, me të cilat i është vënë në dijeni akuza për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, përmblidhen edhe përfitimi që dhëndri i Berishës mori nga procesi i privatizimit të Partizanit, në tokën e të cilit ndërtoi më pas 19 kulla bashkë me kushëririn e tij Xhimi Begeja dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, të akuzuar tashmë bashkë me Sali Berishën për këtë aferë korruptive.

Jo vetëm para cash, fatura dhe dividentë gjithsej mbi 4.6 mln euro, por edhe mbi 1 milion e 250 mijë euro si përfitim nga ''njësi shërbimi të marra më tepër sipërfaqes takuese tek ARA 11-katësh'', një nga kullat e ndërtuara në kompleksin Magnet në tokat e “ish Klub Partizanit”. 

Në këtë pjesë të dosjes, SPAK thotë se Jamarber Malltezi, dukshëm duke përfituar nga pozicioni i tij i pushtetit në krahasim me Bektashin (i cili ishte investitor) dhe kushëririn e tij, ka marrë edhe një sipërfaqe shtesë të kullës.  Një sipërfaqe që sipas SPAK nuk i takon sipas ndarjes së bërë me ortakët e tjerë. Pra i gjithë ''operacioni Partizani'' nxori një fitim të pabesueshëm prej 5,908,570 euro për familjen e dhëndrit të ish-kryeministrit Berisha!

Këtë të premte (13 shtator) Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën arrest shtëpie për Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezi, të cilët u rrëzuan pasi kërkuan rivlerësim për shkak të raportimit dymujor të hetimeve.

K.T./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lui: 13/09/2024 20:48

    Familja e perbindshave

    Përgjigju
  • roni: 13/09/2024 20:38

    Familje kriminale...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    PS abstenon e s'e çon mandatin e Xhaçkës në Kushtetuese, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Gjiknuri ‘lë stafetën’, Arbjan Mazniku prezantohet si drejtues qarku në Elbasan

Gjiknuri ‘lë stafetën’, Arbjan Mazniku prezantohet si drejtues qarku në Elbasan