Gola,kartona të kuq,penallti të humbura, por mbi të gjitha fitorja e parë e Partizanit në këtë sezon.Java e 5-të e Superligës i pati të gjitha ku lajm është triumfi i të kuqve në Durrës. Partizani mposhti me përmbysje Teutën 2-1 dhe siguroi fitoren e parë. Durrsakët e nisën mjaft mirë ndeshjen me një supergol të Albi Dostit.
Më pas djemtë e detit patën mundësi të mbyllin takimin, por Nijas Lena humbi një penallti. Kaq për Teutën dhe lojën e marrin në dorë djemtë e Mark Julianos që barazojnë me Lorenc Trashin.
Mesfushori shënon me kokë golin e parë sezonal për Partizanin.Ndërsa minuta e 79-të është e artë për kryeqytetasit pasi Xhevahir Sukaj me penallti shënon golin e fitores. 5 pikë për Partizanin që lë pas në vend të fundit Lushnjen.
Superligën e kryeson Skënderbeu me 13 pikë që në Korçë mundi Laçin 2-1. Ademir shënoi në portën e tij për të kaluar Skëndërbeu në avantazh ndërsa Regi Lushkja barazoi për Laçin dhe Bajram Jashanica me kokë realizoi golin e fitores.
Tre pikët e kishin edhe një hero tjetër Orges Shehin që i hoqi kurbinasve mundësinë për të marrë një pikë duke pritur penalltinë e Ansi Nikës.
Tek fitorja u rikthye Kukësi që mundi Lushnjen 2-0. Verilindorët mbajnë vendin e dytë me 10 pikë. Paqe në Shkodër mes Vllaznisë dhe Flamurtarit. Ndeshja u mbyll 1-1 me golat e Bushiç dhe Gocajt që në pjesën e parë.
Fitoren e parë sezonale e merr edhe Kamza që triumfoi në Gjirokastër ndaj Luftëtarit 2-1 me dy gola të sulmuesit Raçiç.
Redaksia online
N.M/Shqiptarja.com











