BRINDISI - Përkeqësohet situata në bordin e tragetit italian “Norman Atlantic” i cili mësohet se është përfshirë ditën e sotme sërish nga flakët. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane të cilat citojnë Mario Valenten Komandantin e paitenerisë së portit të Brindisit, ku trageti italian është ankoruar prej disa ditësh.

Sipas Valentes situata është në një gjendje emergjence pasi flakët kanë ardhur nga brenda portit të tragetit, ku siç thekson ai, dyshet se ka ende vatra zjarri. Ai nënvizon se nga ana e autoriteteve italiane po punohet për të rifilluar sërish inspektimet në bordin e tragetit, por moti i keq dhe erërat e forta komplikojnë situatën.

“Jemi akoma në situatë emergjente pasi trageti është përfshirë sërish na flakët dhe besojmë se në brendësi të saj ka ende vatra zjarri. Ne po punojmë për të rinisur inspektimet, por moti i keq dhe erërat e forta po vështirësojnë situatën.” shprehet Valente

Forcat zjarrfikëse italiane po punojnë për shuarjen e flakëve si dhe normalizimin e situatës me qëllim nisjen e inspektimeve edhe ditën e sotme në brendësi të “Norman Atlantic”.

Prej ditësh autoritetet italiane vijojnë të kryejnë inspektime në bordin e tragetit, për të zbuluar arsyen e përfshirjes së tij nga flakët mëngjesin e 28 dhjetorit si dhe mundësinë e gjetjes së trupave të tjerë të pajetë, pasi siç bëri të ditur Prokurori i Barit Giuseppe Volpe, 10-15 persona vazhdojnë të rezultojnë të humbur.

Ditën e djeshme, autoritetet italiane, arritën të zbulojnë kutinë e dytë të zezë, dhe nga ku besohet se gjatë hetimeve në të, do të mund të zbulohet edhe shkaku i zjarrit.

Në tragjedinë e “Norman Atlantic” në bordin e së cilës ishin 499 persona, u shënuan 11 viktima, mes të cilëve edhe një 15 vjeçare e dyshuar me origjinë shqiptare, dhe me leje qëndrimi. 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)