Pas 23 qershorit, zgjedhje vendore
në Tiranë, Thumanë, Bulqizë

Pas 23 qershorit, zgjedhje vendore<br />në Tiranë, Thumanë, Bulqizë
TIRANE - Pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në 23 qershor, nga ku do të dalin edhe 140 deputetët e Kuvendit të rinj, 3 njësi të pushtetit vendor do të realizojnë sërish zgjedhje për kryetarët e tyre. Kjo për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të tyre pas përfshirjes së emrave të tyre në listat partiake për deputetë, konkretisht në PD dhe në PS.

Zgjedhjet do të mbahen përkatësisht në njësinë bashkiake numër 1 në Tiranë, ku ish-kryetarja Lindita Nikolla ka dhënë dorëheqjen nga ky post pas përfshirjes së saj në garën për deputete në këtë qark. Njëkohësisht zgjedhje pritet të mbahen edhe në qytetin e Bulqizës, ku pritet që të zgjidhet kryetari i ri kësaj bashkie, pas dorëheqjes së kryetarit Roland Keta, i cili është renditur në listën e Partisë Demokratike për Qarkun e Dibrës.

Largimi i Ketës nga Bashkia e Bulqizës nënkupton se në këtë bashki do të zhvillohen zgjedhje të reja për pushtetin vendor. Zgjedhjet vendore do të zhvillohen edhe në komunën Thuman, nga ku pritet që të zgjidhet kryetari i ri i kësaj komune pas dorëheqjes së ish-kryetarit Artur Bushi, i cili është vendosur në listën e Partisë Socialiste si kandidat për deputet. Të tre ish-drejtuesit vendorë kanë dhënë dorëhqjen e tyre pranë KQZ, gjë që sipas kodit sjell mbajtjen e zgjedhjeve në këto zona.

AFATET

Por ndonëse Kodi Zgjedhor ka të përcaktuar që zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë nga njoftimi i dorëheqjes së tyre, datë kjo që përkon me fushatën zgjedhore të partive që pritet të mbahen deri në 23 qershor për zgjedhjet parlamentare.

Ndërkohë që sipas burimeve të KQZ zgjedhjet për pushtetin vendor pritet të mbahen pas muajit qershor ndoshta në shtator. “Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”, thuhet në Kodin Zgjedhor.

Ndërkohë që po në bazë të ligjit për zgjedhjet, të zgjedhurit vendorë dhe nëpunësit e lartë të administratës publike duhet të japin dorëheqjen nga postet e tyre për të kandiduar si deputetë. Në këtë listë përfshihen zëvendësministra, drejtorë të përgjithshëm, kryetarë enti, kryetarë bashkie, kryetarë komune, nënkryetarë bashkie, kryetarë minibashkie etj.

DREJTUESIT E TJERË

Pushtetarët vendorë, që kandidojnë nën siglën e PD-së dhe PS-së në zgjedhjet e 23 qershorit, sigurojnë se janë në respektim të plotë të dispozitave të Kodit Zgjedhor duke u larguar nga postet që mbajnë në administratën publike.

Ajo që binte më shumë në sy në listat shumëemërore të partive për deputetë ishte pikërisht se PD kishte në listat e saj plot 13 drejtues të institucioneve të larta shtetërore, ku sipas kodit një pjesë e tyre ka dhënë dorëheqjen.

I pari që e ka bërë një gjë të tillë konform ligjit është prefekti i Tiranës Kletis Kruja, i cili ka pohuar se ka dhënë dorëheqjen si prefekt i Tiranës në datën 6 maj. Një gjë të tillë e kanë bërë edhe nënkryetarja e bashkisë së Tiranës si dhe prefektja e Qarkut të Shkodrës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)

Mashtrimi për bursa studimi e udhëtime falas në SHBA, arrestohet organizatori i skemës (Emri)