Pas 27 vitesh në bashkinë e Tiranës,
e pushojnë nga puna

Pas 27 vitesh në bashkinë e Tiranës,<br />e pushojnë nga puna
TIRANE- Shkurtimet e shumta në administratën e bashkisë së Tiranës kanë vazhduar deri pak muaj përpara zgjedhjeve të 23 qershorit. Vetëm në  ndërmarrjen nr.3 të punëtorëve, që merret me mirëmbajtjen e kopshteve dhe shkollave, nga 187 punonjës që kishte, vetëm tre prej tyre vazhdojnë të jenë ende në punë. Të gjithë të tjerët janë zëvendësuar.
 
Saimir Dani me profesion hidraulik është një ndër të fundit punonjës të ndërmarrjes nr.3 (më parë ishte ndërmnarrja nr.2) që është larguar nga puna nga bashkia e Tiranës, vetëm e vetëm se ka qenë pjesë e administratës së bashkisë kur ajo drejtohej nga Edi Rama. Ai na tregon se merrej me mirëmbajtjen e problemeve hidraulike të shkollave dhe kopshteve dhe kurrë nuk e kishte menduar se shkurtimet do të mbërrinin deri tek ai. “Unë kam punuar aty që nga viti 1986, kur ajo quhej ndërmarrja e objekteve sociale, më pas u bë ndërmarja e banesave deri tani që është ndërmarrja nr.3 e punëtorëve. Kam punuar me të gjithë kryetarët e bashkive, por askush nuk është marrë me ne, pasi ne jemi zanatçinj. Dhe pas 27 vitesh punë, akush nuk ka përse të të heqë nga puna.

Mua më shkarkuan me motivacionin “thyerje e disiplinës dhe rezultate të dobëta në punë”, ndërkohë që askush nuk më sqaroi se çfarë kisha bërë konkretisht”, - na thotë Saimiri. Më tej ai na tregon se ndonëse janë hequr thuajse të gjithë zanatçinjtë në këtë ndërmarrje, vetëm një pjesë e vogël janë zëvendësuar, pasi janë marrë në punë vetëm muratorë dhe elektricistë. “Nga 187 veta që ishim ne në kohën kur në bashki ishte Edi Rama, 184 janë larguar nga puna dhe aktualisht nga ata që kemi qenë, kanë ngelur vetëm 3 persona, - na thotë Dani. – Dhe më e keqja është se megjithëse janë hequr nga të gjithë fushat, kanë marrë në punë vetëm muratorë dhe elektricistë, nuk janë marrë në punë sipas vendit të mbetur bosh”, - na thotë ai.

Dani na tregon se ka bërë disa tentativa për t’u rikthyer sërish në vendin e punës, ka futur edhe miq, është takuar edhe me drejtorin e kësaj ndërmarrjeje, Alfons Muça, por ai i ka thënë “Nuk kam çfarë të bëj, kam urdhër nga lart”. Por kjo nuk është e vetmja e keqe që i ndodhi Saimirit dhe familjes së tij. Ai banon në një shtëpi të ish-pronarëve në afërsi të shkollës “Petro Nini Luarasi” dhe i kanë nxjerrë nga shtëpia që me datë 23 prill. “Në momentin që u futëm në grevë urie dhe erdhi e na takoi kryetari, Lulzim Basha, unë i thashë se ku punoja dhe se drejtori më kishte thënë se kishte urdhër nga lart për të më pushuar. I thashë më lart se ti nuk ka. Basha më tha se do të më rregullote në punë, vetëm të lija grevën. Por më pas nuk më ktheu më asnjë përgjigje”, - na tregon Dani. Aktualisht ai po jeton së bashku me 5 familje të tjera në bodrumin e ndërtesës në të cilën ai ka lidur dhe është rritur, ndërsa prindërit e tij janë vendosur me një autorizim nga shteti që në vitin 1946.

Sipas tij bëhen 27 persona, të cilët jetojnë në bodrumin e kësaj ndërtese dhe nuk largohen për asnjë moment pasi pronarët, që sipas tij nuk janë fare pronarë, mund të shfrytëzojnë momentin dhe ti nxjerrin jashtë. “Ne kemi qenë 13 familje që banonim këtu. Unë e kam këtë shtëpi nga prindërit, të cilët jëetonin aty që nga viti 1946 dhe ne nuk kemi ndërmend të largohemi. Jetojmë në kushte skandaloze, 27 veta flemë në bodrum, për të ngrenë hamë ku të mundemi dhe për t’u larë po ashtu, por po të largohemi ne, jam i sigurtë se ata që pretendojnë se e kanë këtë shtëpi do të vijnë dhe të na nxjerrin jashtë edhe këto pak gjëra që kemi”, - na thotë Dani i cili shton se e kanë çuar çështjen në gjykatë dhe më 31 tetor do të zhvilohet seanca e parë.
 
Shkrimi u publikua sot (25.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën