Burime nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor thonë se kalimi në sistemin e ri nuk do të ketë kosto plus për mbajtësit e patentave aktuale, pasi patenta përmban të gjitha elementët e sigurisë që kërkohen. Aktualisht në regjistrin elektronik të këtij institucioni dhe të Policisë Rrugore janë hedhur të dhënat e 740 mijë lejeve drejtimit. Nga ana tjetër, edhe Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë pritet të ndryshojë në kuadër të nismës së Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.
Në nenin 120/1 propozohet të bëhen ndryshime, sipas të cilave “tregimi i sasisë së pikëve është i lidhur me çdo shkelje dhe duhet të rezultojë nga vendimi i komisionit të organit epror të agjentit verifikues”. Sipas këtij ndryshimi, heqja e pikëve të patentave në rast shkeljeje nuk do të jetë më kompetencë e një funksionari të vetëm, por e një komisioni. Ndërsa, pika 2 e këtij neni, ku thuhet se “Në rastin kur konstatohen njëkohësisht më shumë se një shkelje e normave të sjelljes në zbatim të kërkesave të pikës 1 të këtij neni, mund të zbriten maksimumi 15 pikë.
Dispozitat e kësaj pike nuk zbatohen në rastet, në të cilat është parashikuar pezullimi ose revokimi (heqja) e lejedrejtimit”, propozohet të ndryshohet në fjalinë “Në rastin kur konstatohen njëkohësisht më shumë se një shkelje e normave të sjelljes zbriten maksimumi 15 pikë”.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)