Pas 7 vitesh në fuqi/ Banka e Shqipërisë e Ministria e Financave do të ndryshojnë paketën e deeuroizimit! Masa shtesë për uljen e përdorimit të euros

Tirane- Transaksionet me vlera të mëdha apo të vogla po bëhen në euro, fenomen i cili është më i përhapur kur flitet për blerje banese apo makine. Për këtë mjafton të bësh një monitorim nëpër faqet online të Agjencive të Pasurive të Paluajtshme, ku vështirë të gjesh apartamente me qira në lekë, pasi operohet me euro.

Këtë tendencë jo favorizuese për ekonominë, dhe që e zhvlerëson më tej euron në raport me lekun pasi shton fluksin e valutës në treg, nuk e frenoi as paketa e deeuroizimit e ndërmarrë në vitin 2017 nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, që synonte uljen e përdorimit të euros në ekonomi.

Për këtë arsye paketa e deeuroizimit pritet të ndryshojë brenda këtij viti me synim, gjetjen e alternativave për të frenuar euroizimin e madh të ekonomisë.

“Do bëjmë një mbledhje të grupit të Stabilitetit Financiar që do të bëhet brenda këtij viti ne do diskutojmë për deeuroizimin, sepse duhet një kthim vëmendje tek ajo strategji dhe do të rinovohen masat që ishin parashikuar 6-7 vite më parë”, është shprehur në Komisionin Ekonomisë Ministri i Financave Ervin Mete më 7 nëntor 2023.

“Niveli i euroizimit i sektorit bankar është 50%, pra bilancet e bankave tregtare por kemi nivel të lartë edhe në ekonominë reale. Në mbledhjen e radhës të grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar që do bëhet brenda vitit, ne do të rishikojmë planin e masave për deeuroizimin”, u shpreh guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko më 10 nëntor 2023 në komisionin e Ekonomisë.

Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj, thotë se një mënyrë për të frenuar këtë fenomen është kufizimi i pagesave në euro.

“Nuk kanë ndërmarrë një proces vendimmarrës fiks. Një nga format vendos një rregull, që transaksionet për shitje blerje apartamentesh të bëhen në monedhë kombëtare. Duke qenë se tregu ka shumë para informale është shumë  e vështirë ta deeurozosh”, pohon Nunaj.

Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti 54.6% e depozitave, 47.4% e borxhit publik dhe 30.3% e kredive të marra ishin në valutë, duke dëshmuar kështu mungesën e efektivitetit të kësaj pakete.

Përdorim i madh i euros përbën rrezik për qytetarët, bizneset por edhe ekonominë për shkak të luhatjeve të kursit të këmbimit, ndërsa nga ana tjetër ka efekt negativ në efektin e politikave monetare që ndërmerr Banka e Shqipërisë.

 Memorandumi i Bashkëpunimit

Plani i 2017 për të ulur euroizimin e ekonomisë, pjesë e memorandumit të bashkëpunimit mes tre institucioneve për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare:

a) grupi i parë përfshin veprime të politikës fiskale dhe përmirësime të tjera ligjore, të cilat synojnë ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, uljen e informalitetit në ekonomi, zhvillimin e 3/7 tregut financiar, përmirësimin e kërkesave ligjore dhe forcimin e zbatueshmërisë së tyre për përdorimin e lekut në transaksionet mes agjentëve ekonomikë;

b) grupi i dytë përfshin veprimet e politikës monetare dhe ato mbikëqyrëse mbi bankat dhe institucionet e tjera financiare, me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë së mjedisit makroekonomik, zhvillimin e tregut financiar dhe të sistemeve të pagesave, si edhe rritjen e shkallës së përdorimit të lekut në sistemin financiar;

c) grupi i tretë përfshin veprime të tjera të cilat nuk përfshihen në dy grupet e mëparshme, që vlerësohen të nevojshme në kuadër të zbatimit të strategjisë dhe ku palët mund ndikojnë në zbatimin e tyre.

S.G/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale