Pas 80 vjetësh Hasan Prishtina
përkujtohet në Selanik, aty ku u vra

Pas 80 vjetësh Hasan Prishtina<br />përkujtohet në Selanik, aty ku u vra
SELANIK - Buqeta me lule të freskëta, pas 80-të vjetësh do të vendosen në vendin, ku më 13 gusht të vitit 1933 u vra pabesisht Hasan Prishtina. Tetëdhjetëvjetori i vrasjes së atdhetarit për herë të parë do të shënohet në Selanik, në vendin ku dhe u vra heroi.

Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, të ndihmuar edhe nga Mehmet Prishtina, pinjolli i familjes së Hasan Prishtinës do të organizojnë manifestim përkujtimor me rastin e 80-vjetorit të vrasjes së atdhetarit Hasan Prishtina.

“Manifestimi përkujtimor do të organizohet para shtëpisë së Hasan Prishtinës në Selanik. Qëllimi është që të përkujtojmë në vendin e ngjarjes figurën madhore të kombit tonë”, tha për “Lajm”, kryetari i Shoqatës së historianëve, Skënder Hasani. Ai sqaroi se manifestimi përkujtimor do të mbahet para shtëpisë së Hasan Prishtinës në Selanik, objekt ky që tashmë është shkollë për të verbrit, ndërsa më pas do të vendosen edhe buqeta me lule të freskëta në vendin ku iu bë atentati atdhetarit Prishtina.

Në manifestimin përkujtimor do të jenë prezent udhëheqësit e Universitetit të Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’, udhëheqësit e Universitetit Shtetëror të Tetovës, udhëheqësit e Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, përfaqësues të lobit shqiptar në botë, të cilët kanë ardhur në vendlindje për pushime, përfaqësues të shoqatës së historianëve, etj, etj.

Për të organizuar këtë manifestim në Selanik, Shoqata e Historianëve ka marrë leje nga zyra greke për lidhje, ndërkaq që para 10-të ditësh kanë pas takim edhe me ambasadorin grek në Maqedoni, të cilin ata e falënderojnë shumë.

KUSH ISHTE HASAN PRISHTINA
Hasan Prishtina lindi në vitin 1873 në Vushtrri në një familje të re qytetare e atdhetare me prejardhje nga Polaci i Drenicës, në Kosovë. Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësuesi patriot Hafëz Arifi nga Prekazi, ndërsa arsimin e mesëm në liceun (gjimnazin) frëng të Selanikut ku u njoh me idetë demokratike evropiane. Në Stamboll u diplomua në universitetin e këtij qyteti në Drejtësi.

Gjatë shkollimit mësoi turqishten, arabishten, frëngjishten, anglishten dhe disa gjuhë të tjera. Më vonë, pos serbishtes do të flasë edhe greqisht, italisht, çerkezisht dhe gjermanisht. Fillimisht punoi në administratën perandorake në Stamboll, ku arriti postin e kryekonsullit të shtetit ku u njohtë me mekanizmin dhe nevojat e shtetit si organizëm kombëtar si dhe me kërkesat liridashëse e çlirimtare të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U vu në shërbim të kombit dhe atdheut të shumë vuajtur. Si i tillë u zgjodh deputet i shqiptarëve nga Prishtina (1908) në parlament osman nga kur edhe e mori mbiemrin Prishtina.

Deri në vitin 1912 ishte deputeti shqiptarë më i zëshmi në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe jo vetëm të këtyre, por edhe të popujve tjerë pa të drejta. Në mbledhjen e "Taksimit" në Stamboll, mori detyrën e organizatorit dhe udhëheqësit të kryengritjes së vitit 1912 në Kosovë. Me sukses e udhëhoqi atë, duke çliruar Kosovën dhe Shkupin e duke i hapë rrugën Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë që ndodhi në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga bashkëmendimtari e bashkëpunëtori i tij, Ismail Qemali.

Në Qeverinë e Ismail Qemalit, në mes të mandatit ishte ministër i Bujqësisë dhe Punëve të Brendshme. Në vitin 1919, u bë anëtar dhe veprimtarë i dalluar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. E luftoi ashpër ndarjen e tokave shqiptare nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Londrës e të Parisit, si pasojë e së cilës erdhi pozita e rëndë e shqiptarëve në Jugosllavi, në Kosovë e Maqedoni, madje jo vetëm këtu. Në zgjedhjet e prillit 1921, u zgjodh deputet. Hasan Prishtina mbeti kundërshtar i vendosur i Ahmet Zogut. Tërë dijen dhe pasurinë e harxhoi për shqiptarët e Shqipërinë. Asnjëherë nuk u gjunjëzua, nuk u thye kurrë nuk e poshtëroi kombin e atdheun, kurrë nuk u shit e nuk fyu. U dënua pesë herë me vdekje në arrati.

U vra me pesë plumba në orën 2 pasdite më datë 13 gusht 1933 nga 38 vjeçari Ibrahim Çelo në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI” në Selanik të Greqisë. Vrasësi ka thënë se akti i tij u dedikohet motiveve politike. U varros në Selanik, ndërsa më 6 dhjetor 1977 u rivarros në qytetin e Kukësit, në Shqipëri. Për të mos vdekur kurrë, u ngritë në përmendore Hero i Kombit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri