Ministria e Shëndetësisë është vënë në lëvizje për t'i ofruar kujdes shëndetësor Blerina Rrapushit, pas publikimit të historisë së saj në Report Tv. Lajmi u bë i ditur nga deputetja e Vlorës, Pranvera Resulaj e cila vizitoi në banesë 38-vjeçaren që vuan nga elefantizmi dhe peshon 450 kg.

"Unë skam ilaçe falas, s'kam asgjë jam vajzë 38 vjeçe më është plasur shpirti....", pati deklaruar Pranvera dhe apeli për ndihmë është dëgjuar.

Në shtëpinë e saj ka mbërritur këtë të premte deputetja e socialiste e Vlorës, Pranvera Resulaj.

"Jam njohur nga video juaj, nuk e kisha dëgjuar më parë si rast. Kam ardhur për shkak të ndjeshmërisë njerëzore, përtej faktit se jam deputete. Është një klinikë e vështirë, nuk është e nevojshme për të qenë mjeke... përtej kësaj ka dhe ngarkesë psikologjike", thotë deputetja Pranvera Resulaj.

Operatori i Kujdesit Shëndetësor dhe spitali i Vlorës janë vënë në lëvizje pas një telefonate nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. 

"Vetë ministrja e Shëndetësisë është në dijeni të rastit dhe ka dhënë udhëzime për ta ndihmuar Blerinën, për ta thjeshtuar jetesën, por s'jam në dijeni se sa mund të arrijë mjekësia ta shërojë...Pra ka filluar vëmendja për këtë rast dhe nuk mund të them tani si do të jetë zgjidhja, por ndjeshmëria njerëzore është e madhe....", vijoi ajo.

Historia e dhimbshme e 38-vjeçares, Blerina Rrapushi u transmetua dy ditë më parë në Report TV. Me lot në sy, rrëfeu se prej 4 vitesh nuk lëviz nga shtrati, ndërsa i ka munguar kujdesi shëndetësor. 38-vjeçarja nga Vlora vuan nga sëmundja e elefantizmit dhe peshon 450 kg.