Britney Spears është futur në një qendër rehabilitimi, rreth një muaj pasi u arrestua për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe drogës.

Këngëtarja 44-vjeçare ka hyrë me dëshirën e saj në trajtim, siç konfirmojnë përfaqësuesit e saj, ndërsa çështja e saj në gjykatë në Kaliforni pritet të zhvillohet brenda pak javësh.

Ngjarja ndodhi më 4 mars, kur policia e ndaloi pasi po ngiste makinën në mënyrë të rrezikshme dhe me shpejtësi të lartë. Me tu ndaluar nga policia ajo shfaqi shenja të qarta të dehjes dhe iu nënshtrua testeve në vend.

Pas arrestimit, ekipi i saj reagoi duke e cilësuar incidentin “të pajustifikueshëm”, ndërsa theksoi se familjarët dhe njerëzit pranë saj do të ndërmerrnin hapa për ta ndihmuar.

Hyrja në rehabilitim vjen pikërisht në këtë moment delikat, si një përpjekje për të vënë situatën nën kontroll përpara përballjes me drejtësinë.

Spears, një nga emrat më të mëdhenj të muzikws pop, ka kaluar edhe më herët periudha të vështira, përfshirë 13 vite nën kujdestari ligjore, e cila përfundoi në vitin 2021.