TIRANE- Për herë të parë, i madhi Dritëro Agolli nuk nderohet si shkrimtar, por si publicist. Në emër të komunitetit të gazetarëve, si Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë si dhe Forumi i Mediave të Lira, iu akordua çmimi, “Pena e Artë, Mjeshtër i Madh i Gazetarisë”, Dritëro Agollit në një event të organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në mjediset  e hotelit “Tirana International”, në praninë e personaliteteve të larta shtetërore, të biznesevegazetarëve të shquar,  kolegëve, miqve dhe të afërmve të tyre. Ky çmim jepet pak kohë pas dheniës së çmimit letrar “Carlo Levi” në Itali.

“Personalitet i papërsëritshëm i gazetarisë dhe publicistikës shqiptare. Kontribues madhor në shtypin e shkruar shqiptar për dekada me radhë. Sjellës i një kulture shkrimore të re dhe pasurues i mendimtarisë publicistike në hapësirën kombëtare. Lëvrues i zhanreve të ndryshme në gazetarinë e shkruar dhe një ndër eseistët më të spikatur të shtypit shqiptar në 50 vjetët e fundit. Dritëro Agolli është personaliteti që përfaqëson njëherësh një shkrimtar të shquar dhe një gazetar e publicist të shquar.

Me kontributin e vet dhe punën dhjetravjeçare si gazetar dhe publicist, Dritëro Agolli ndikoi në emancipimin e shoqërisë dhe në mënyrë të veçantë të komunitetit të gazetarëve shqiptarë. Vepra e tij publicistike përbën një fond dhe përvojë themeltare për gazetarinë dhe mendimtarinë publicistike shqiptare në kohë”, citohej ndër të tjerash në motivacionin akorduar Dritëro Agollit, e dorëzuar mbesës së tij Ana Agolli nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Jam këtu për të plotpushtetshmin gjysh” – kështu u shpreh Ana Agolli, mbesa e shkrimtarit dhe publicistit të madh me rastin e dorëzimit të titullit duke i dhenë një dimension emocional të veçantë ceremonisë dhe gjyshit të saj Dritëro. Tërthorazi, ajo citon vargjet e poezisë së dedikuar Anës nga vetë shkrimtari Agolli me titull “I plotpushtetshmi (Për Anën) ” ku shkruhet:
 
Vërtet jam i madh dhe i plotpushtetshëm
Në truallin tim në shtëpi,
I plotpushtetshëm vetëm për mbesën
E vockël me kupën e gjurit sa një lajthi.
 
Vërtet njëherë shkrepëtima u drodh nga ethet
Dhe qielli plot bubullima u nda në dysh,
Mbesa u fsheh nën dritare e zbehtë,
Mua të plotpushtetshmin më thirri: “Rrihe qiellin, o gjysh”!
 
Kjo ishte edhe deshira e të madhit Dritëro që mbesës së tij të dashur t’i përcillej ky çmim. Publicistika e Agollit nuk ka reshtur për dekada me rradhë. Në parathënien e librit “Tështimat e lirisë, ku përfshihet një pjesë e madhe e publicistikës dhe memuaristikës së Dritëro Agollit, shkruhet ndër të tjera: “Jo rrallë artikujt apo intervistat e shkruara, në një stil të mbrujtur në një frymë polemiste që i ngjan atij të Fan Nolit dhe Faik Konicës, kanë luajtur një rol emancipues në shtypin shqiptar nëpërmjet piketave që kanë vendosur në rrugën e këtij shtypi. Gazetarët, të majtë apo të djathtë, kanë hyrë në shumë raste në debat me Dritëroin, të qetë apo të ashpër, dhe kjo pa dyshim ka nxitur ecjen dhe zhvillimin e shtypit shqiptar.

Dritëroi ishte elastik dhe kishte pragmatizmimin e nevojshëm për një politikan dhe të pazakontë për shumë kolegë të tij të vjetër, por edhe të rinj. Ai shpesh korigjonte pozicionet e mëparshme për shkak të evoluimit të situatave ddhe këtu e ndihmonte sensi i tij i drejtë i orientimit”.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, pas dhënies së çmimit, tha se, “ishte një kënaqësi e veçantë që sot të merrja pjesë në ketë aktivitet mjaft domethënës, duke inkurajuar të gjithë gazetarët për të qenë sa më aktivë, sidomos lidhur me çeshtjet ekonomike apo edhe më ato të integrimit, sepse edhe vetë integrimi në rradhë të parë është një sfidë ekonomike për vendin dhe shoqërinë tonë. Ishte një kenaqësi e veçantë që t’i dorëzoja, në emër të jurisë, “Pendën e Artë” mbesës së shkrimtarit tonë të madh Dritëro Agolli, Anës, që është këtu e ardhur nga Sorbona për të marrë këtë çmim dhe për të falenderuar edhe në emër të gjyshit të saj. Ajo studion në Sorbonë për financa ndërkombëtare. Si ajo janë me qindra, me mijëra të rinj të talentuar shqiptarë, të cilët janë të integruar në Evropë dhe presin që edhe politika jonë të integrohet çdo ditë e më shumë në Evropë”.  

Shkrimi u publikua sot (20.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)