Pas episodeve të dhunës të regjistruara dje në komisariatin nr.3 nga një grup personash të maskuar, protesta vijon përsëri sot me të njëjtin itinerar. Organizatorët e protestës janë distancuar nga aktet e dhunës.

Aktivisti Arben Kola tha se grupi i maskuar mbrëmjen e djeshme që theu xhamat e komisariatit nr.3, nuk janë pjesë e grupit organizator të tubimit, ndërsa pretendoi se janë të sponsorizuar nga qeveria për të njollosur protestën.

“E deklarojmë se protesta deri në fund do të jetë paqësore pavarësisht investimit të qeverisë apo segmente pranë qeveris që ka të bëjë me oligarkinë dhe mafien që nxisin të rinjtë e të reja për të pasur dhunë. Ne jemi deklaruar hapur, e thamë dhe mbrëmë, që protesta mbaroi këtu, kush ka dëshirë të qëndrojë. Ajo që kanë qëndruar mbrëmë janë elementë të sponsorizuar nga qeveria. Sado të mundohet kjo palo qeveri nuk do ia dalë. Çdo tentativë për ta njollosur protestën, nuk do të arrihet. Asnjë nga ato që ka ushtruar dhunë mbrëmë  nuk është pjesë e grupit nismëtar të protestës”, tha Arben Kola.

Pas grumbullimit te sheshi ‘Skënderbej’, marshimi ka vijuar te kryeministria me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD Sali Berisha.

Protesta shënon 36 ditë. Ajo nisi si një protestë qytetare që kundërshtonte ndërtimit e një resort liksoz në Zvërnec, por tashmë ka përshkallëzuar në dhunë drejt Policisë së Shtetit e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, e në fund dhe drejt institucioneve.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:31
Qytetari nga diaspora: Jemi motori i ekonomisë shqiptare për 36 vite, Rama tallet me prindërit tanë me pensionet që u jep! E ka vendin në burg

Një qytetar, i cili jeton në Romë, i është bashkuar protestës. Nga foltorja ai tha se qeveria e Edi Ramës është tallur me pensionet që u ka ofruar pensionistëve në vend.

“Diaspora dhe emigrantët kemi qenë motori i ekonomisë shqiptare nga këtu e 36 vite. këta zotërinj që kanë marrë penge tallen me ekonominë tonë, se ne i kemi dhënë mundësinë që të tallen me prindërit tanë duke u dhënë pesnione nga 80 mijë lekë në muaj, ashtu do ua heqim atë privilegj. Diaspora nuk harron sepse bijtë e shqipes janë shqiptarë dhe u vlon gjaku. Janë të shitur. Këta kanë vetëm një vend që i pret, dhe ajo është qelia. Prandaj zotëria ka frikë të japë dorëheqjen se shkon direkt në burg dhe po kërkon mëshirë nëpër Evropë. Rama duhet t japësh dorëheqjen dhe të paguash për të që i ke bërë kombit shqiptar”, tha ai.

Ora 20:18
Qytetarja kërkesë ‘të veçantë’ kryeministrit Rama nga protesta: Mjaft iu ule në gjunjë Melonit si bisht fshese e prishur!

 

1783275565_gfxtyyyy.jpg

Një qytetare nga tubimi para Kryeministrisë, kishte një kërkesë ‘të veçantë’ për kryeministrin Edi Rama, të cilit i bëri thirrje që të mos i ulej më në gjunjë kryeministres italiane Giorgia Meloni.

“Mirëmbrëma atdhe, nga brenda kam një mllef. Zoti Edi Rama, mjaft iu ule Melonit në gjunjë si një bisht fshese e prishur. Por kërkoji falje popullit dhe populli do të falë. Por ti s’qenke njeri, paske qenë tamam i krimbur. Gjithë këto nëna, gjithë këta bijë nënash, janë të lodhur”, tha mes të tjerash protestuesja.

Ora 20:14
Sot u lirua nga qelia, Albion Nikolli nga protesta: Na kanë dhunuar, s'na dhanë ndihmë mjekësore, jemi kundër autokracisë! Policia është me ne

Albion Nikolli, një prej protestuesve të arrestuar pas protestës së dhunshme te Kuvendi të enjten e kaluar, tha nga foltorja në bulevard se djemtë që u prangosën, nuk janë huliganë e as kundër shtetit e ligjit, por se janë kundër autokracisë. Ndër të tjera, Nikolli tha se policia nuk është kundër protestës e qytetarëve, por se janë mbështetës. Ai dhe njëherë theksoi se të arrestuarit janë dhunuar dhe nuk i është ofruar as ndihma mjekësore e nevojshme.

“Jemi arrestuar në mënyrë të paligjshme. Nuk dua të viktimizohem, por shokë të mi kanë pësuar dhunë të jashtëzakonshme. Nuk na është ofruar ndihma mjekësore. Dua të them se protestuesit, ata djem, nuk janë huliganë. Nuk janë kundër ligjit e rendit kushtetues; janë kundër autokracisë. Janë për demokracinë, për shtetin ligjor, për ta kthyer Shqipërinë në shinat demokratike.

Ata duan që Shqipëria të mos jetë e kapur nga mafia, të mos u shitet oligarkëve vendas. Nuk janë heronj. Ju jeni heronj që keni ardhur çdo ditë në protestë. Faleminderit që erdhët të na mbështesni. Na keni dhënë një energji të jashtëzakonshme. Heronj janë ata që protestojnë, ata që qëndrojnë për të drejtat në përditshmëri. Policët, edhe pasi na kanë shoqëruar, janë me ne, por janë të shtypur nga ky sistem. Nuk u paguhen orët shtesë. Ky është mesazhi im”, tha Albion Nikolli.

Ora 20:08
Protestuesja nga tubimi para Kryeministrisë: Sali Berisha vrau bijtë e nënave në 1997-ën, hapi depot dhe shiti armët!

Një grua gjatë fjalës së saj në protestën para Kryeministrisë, hodhi akuza të forta ndaj kryedemokratit Sali Berisha, të cilin e akuzoi për vrasjet e vitit 1997.

“Jemi rritur me diktatura të ashpra, jemi rritur në kohën e Sali Berishës, që vrau miliona bijë nënash. Nënat janë veshur me shami të zeza. Mos harroni vëllezër, Saliu hapi depot, duke shitur armët, duke futur përçarjen mes nesh, duke na vrarë djemtë e nënave dhe duke hedhur baltë mbi ne. Duhet të jemi të gjithë bashkë”, tha një protestuese.