Sllovenia ka tërhequr nga tregu një sasi me speca të kuq, të eksportuara nga Shqipëria për shkak të nivelit të lartë të pesticideve.

Pas domateve dhe pjeshkëve të bllokuara në Kroaci, në Slloveni është bllokuar një sasi me spec të kuq. Kompania Geaprodukt në Slloveni, që merret me tregtimin e fruta-perimeve, u ka kërkuar konsumatorëve që të kthejnë pas produktin në dyqanet ku i kanë blerë ose t'i hedhin në mbeturina.

Në to janë gjetur pesticide në sasi të lartë si acetamiprid, formetanate dhe flonicamid. Produkti i eksportuar nga Shqipëria drejt Sllovenisë, nga data 24 gusht deri në 4 shtator, ishte paketuar në kuti kartoni dhe më pas në qese plastike.

Sipas mediave të huaja, kompania sllovene iu ka kërkuar të gjithë qytetarëve të mos e konsumojnë produktin, për shkak të pesticideve të tepërta, por ta kthejnë në vendin e blerjes ose ta hedhin. Ndërsa, personat që kanë qenë në kontakt me ushqimin e kontaminuar, duhet të dezinfektojnë duart, njoftuan autoritetet në Slloveni.

Sipas të dhënave nga sistemi evropian RASFF, në mostrat e marra në treg më 26 gusht janë identifikuar 3 lloje pesticidesh të rrezikshme për shëndetin, ndaj është kërkuar të tërhiqet nga tregu. Për shkak të rrezikut për këtë rast është dhënë  ‘njoftim alarmi’ nga shteti sllovak.

Vetëm në muajin korrik, 3 ngarkesa të tjera me speca nga Shqipëria janë ndaluar në Kroaci e Slloveni po me të njëjtën prezencë pesticidesh.

Ndërkohë, më 3 shtator, Kroacia dhe Bosnjë Hercegovina bllokuan pjeshkët nga Shqipëria, pasi përmbajnë pesticide. Po ashtu, Kroacia asgjësoi 4 tonë me domate shqiptare, pasi rezultuan të ishin spërkatur 5 herë më tepër se norma e lejuar me helmin që vret insektet chlorfenapyr. Domatet e rrezikshme u groposën nga shteti kroat, i cili po ashtu më 22 gushti kishte asgjësuar 5 tonë pjeshkë nga Divjaka, sepse në këtë frutë shqiptar ishte gjetur prezencë e lartë e metalit të rëndë, nikel.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:19
BE reagon për specat shqiptare: Përmbajnë 3 lloje pesticidesh

1757160963_speca.jpg

Pas një kompania e tregtimit të produkteve ushqimore në Slloveni bëri thirrje për tërheqje nga tregu të specave shqiptare me përmbajtje pesticidesh, alarmi është ngritur edhe “RASFF”, agjencia e Bashkimit Europian për Sigurinë Ushqimore.

Në njoftimin e bërë publik së fundmi, Agjencia e BE për Sigurinë Ushqimore e konsideron serioze situatën, teksa sqaron se nga analizat ka rezultuar që në specat e Shqipërisë u gjetën 3 lloje pesticidesh; Formetanate, Acetamiprid dhe Flonicamid.

Pas evidentimit të pesticidive, Agjencia e BE ka njoftuar Shqipërinë si vend i origjinës, si dhe Austrinë e Kroacisë si vende ku do të eksportoheshin specat shqiptare. Në këtë listë është edhe Slloveni, por ishte pikërisht ky shtet që ngriti i pari alarmin duke kërkuar tërheqjen nga tregu të specave shqiptare.