Në fund, përplasja mes Shteteve të Bashkuara, më saktë mes presidentit Donald Trump, dhe Vatikanit të Papa Leones mund të zbutet, madje më shpejt nga sa pritej. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Romë, të enjten dhe të premten e ardhshme, e paralajmëruar nga Corriere della Sera, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të takojë Papën më 7 maj.
Ky takim shihet si një mundësi për të “zgjidhur” tensionet e krijuara nga deklaratat e forta të Trump në javët e fundit, kur ai e akuzoi Papën se “nuk e kupton situatën në Iran” dhe e quajti “të dobët ndaj kriminalitetit” dhe “të paaftë në politikën e jashtme”.
Nga ana tjetër, edhe Vatikani synon ta mbyllë këtë kapitull, për të shmangur përçarje mes katolikëve amerikanë: shumica u rreshtua pa hezitim në krah të Papës, por pati edhe nga ata që mbështetën presidentin. Veçanërisht ndikoi edhe imazhi i krijuar me inteligjencë artificiale dhe i shpërndarë nga Trump, ku ai paraqitej si Jezusi duke shëruar një të sëmurë — imazh që më pas u fshi dhe u mohua nga vetë ai në aspektin “kristologjik”.
Ndërkohë, muajt e fundit është vënë re një rritje e konvertimeve në katolicizëm, sidomos mes të rinjve, shpesh të tërhequr nga forma më tradicionale të riteve fetare.
Për Rubion, kjo është vizita e tretë në Itali, pas asaj në majin e kaluar në Villa Madama dhe pjesëmarrjes në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore në shkurt, së bashku me J.D. Vance. Avokat, 55 vjeç, ish-senator i Floridës, ai është i pari me origjinë latino-amerikane (familja e tij vjen nga Kuba, por ai ka lindur në Miami) që mban postin e sekretarit të Shtetit në SHBA.
Së bashku me nënpresidentin Vance, ai ndan besimin katolik, të cilin e kishte braktisur në rini për t’iu bashkuar konfesioneve të tjera të krishtera — përfshirë edhe atë mormone — përpara se të rikthehej në Kishën Katolike.
Gjatë vizitës është planifikuar gjithashtu edhe një takim me sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin./CorriereDellaSera
Lajmi kryesor:
Marco Rubio do të vizitojë Romën për të zbutur marrëdhëniet me Vatikanin dhe qeverinë italiane: Dua të takoj Giorgia Melonin! Takimi me Papën me 7 Maj









